Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të 284-të, me ç’rast një nga pikat e rendit të ditës është përzgjedhja dhe emërimi i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Takimi filloi me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, mandati i të cilit është pesë (5) vjeçar.
Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën gjyqtarin Venhar Salihu, Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Më poshtë po e japim një biografi të shkurtër të kryetarit të zgjedhur:
Venhar Salihu, është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil të Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Salihu ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2012/13.
Nga janari i vitit 2006 deri në maj të vitit 2008 ai ushtroi detyrën e ass. të avokati në Zyre të Avokatisë, ndërkaq nga maji i vitit 2008 deri në maj të vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Asistentit të Lartë Ligjor për Verifikim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA).
Më 19.05.2015 është emëruar si gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë.
Gjyqtari Salihu nga 1 janari i vitit 2019 deri më datë 10 janar 2022, ka qenë shef i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Ndërsa, nga 1 maji i vitit 2021 deri më 31 mars 2022, ka qenë mbikëqyrës i Degës së Gjykatës Themelore në Novobërdë. /2LONLINE/