“Në përvjetorin e rivarrimit të dëshmorëve të kombit, ne u përulëm për të nderuar jetën dhe veprën e tyre, por edhe u skuqëm nga pamja e shëmtuar”, shprehet Shaqir Shaqiri, zëdhënës i OVL UÇK-së, në Gjilan.
“Në përvjetorin e rivarrimit të dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre u ngjitën kodrës përpjetë për tek vendi, për tek Olimpi i Gjilanit ku në vend të Zotave rrinë heronjtë e Kosovës. Ca u ngjitën me këmbë e ca me vetura, erdhën edhe me veturë zyrtare, sigurisht përfaqësuesit e komunës, për të vënë lule dhe për të nderuar heronjtë. Por, ne u shtangëm nga pamja me të cilën u ballafaquam. Rruga për tek vendpushimi i heronjve ishte e mbushur me mbeturina, platoja ishte plotë guralecë, pllakat si mbulojë e heronjve ishim të mbuluara me pluhur dhe të mbushur me kërmijë”, thotë Shaqiri, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, jo vetëm që u shtangën, por edhe u turpëruan. “A ky është përkushtimi i shoqërisë sonë për sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë, për dëshmorët-tani heronjtë të Kosovës, të cilët dhanë jetën për ne dhe lirinë që sot e gëzojmë? A është kjo vetëdija jonë apo ndërgjegjja jonë përball veprës sublime që bënë këta, bijë dhe bija më të mirë të popullit?!”.
Shaqiri thotë tutje se kompleksi i varrezave të dëshmorëve është nën përgjegjësinë dhe përkujdesjen e komunës dhe turpi bie mbi Komunën. “Por neve na lëndohet ndërgjegjja dhe na thyhet zemra nga një papërgjegjësi e tillë”.
Shaqiri thotë se nga komuna e Gjilanit kërkojnë:
Që të merr seriozisht angazhimin dhe përkujdesjen e kompleksit memorial të varrezave të dëshmorëve.
Që të rrethohet hapësira e kompleksit të varrezave të dëshmore,
Të ndalohet shitblerja e parcela të cilat duhet të jenë pjesë e këtij kompleksi,
Të pastrohen rregullisht, në veçanti varrezat, platoja dhe rruga që shpie tek varrezat
Në çdo përvjetor flamujt e vjetruar të zëvendësohen me flamuj të ri kombëtar. /2LONLINE.com/