Shfaqja e fundit “Festivali i Muzikës Ndërkombëtare Multietnike”, në kuadër të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme (FTSHM) në Gjilan, u realizua nga nxënësit e Shkollës së Mesme të Artit Pamor “Adem Kastrati” dhe Shkollës së Muzikës, në rolet e luajtura nga Angelina Nienhuis, Joni Doda, Fortesa Selishta, Kujtim Sylejmani, Edi Shefkiu dhe Djevdet Aliu, me regji nga Faton Kqiku, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hysenit.
Shfaqja krijoi emocione të veçanta te publiku, me interpretimin, këndimin, anët komike, lojën skenike dhe dinamikën në dialogët ndërmjet nxënësve-aktorë. Një juri do të përzgjidhte talentët më të mirë në vokal dhe interpretim në kuadër të festivalit. U zhvillua një dramë e vërtetë për vlerësim, konkurrentët e vënë në diskutim jurinë dhe juria zhvilloi tejmase ironinë në lojë për vlerësimin e saj të konkurrentëve.
Konkurrentët në festivalin garues me çmimet e vendit të parë, të dytë e të tretë, për “Zërin e kumrisë” (kumria-lloj pëllumbi me pendë e pupla në ngjyrë të kuqe të çelur, të përzier me të verdhë e të bardhë dhe me një njollë të harkuar pas qafës), kënduan këngë të mirënjohura për publikun shqiptar, e të cilat u ndërlidhën dhe u përshtatën në mënyrë të shkëlqyer me disa nga hobet e konkurrentëve, duke krijuar shumë të qeshura te publiku.
Para nisjes së shfaqjes, drejtoresha e CCNO-së, Mediana Bislimi, falënderoi Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Teatrin e qytetit për mbështetjen financiare, e më pas edhe Drejtorinë e Arsimit, drejtorët, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit e shkollave të mesme ekonomike, për bashkëpunimin e mirë për organizimin efikas të festivalit, duke vazhduar edhe me përmendjen e kontributit për regjisorët, përgjegjësin artistik të festivalit Avni Shkodrën, regjisorin Ekrem Sopin nga OJQ “Vepro”, sociologun Avni Rudakun, skenografin Din Azizin, kostumografen Leudita Hysenin, drejtorin e Varg e Vi-së, Migjen Fazliun dhe të gjithë vullnetarët e festivalit.
Më pas, drejtori i Teatrit të qytetit, Erson Zymberi, theksoi rëndësinë e posaçme të teatrit në edukimin e nxënësve, përfshirjen e OJQ-ve për organizimin e festivalit, bashkëpunimin e teatrit me shkollat dhe veçantinë e këtij festivali unik në Gjilan e në mbarë Kosovën.
Pas fjalimit përmbyllës të festivalit, menaxherja e projektit, Bislimi, bashkë me drejtorin e Teatrit të qytetit, Zymberin, ndanë edhe mirënjohjet për Kushtrim Jakupin nga Shkolla e Mesme e Muzikës dhe përfaqësuesin e Shkollës së Mesme të Artit Pamor. Në videoprezantim, u shfaq edhe për përshëndetje të festivalit, nga vizita zyrtare në Turqi, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili i falënderoi të gjitha organizatat implementuese të festivalit dhe nxënësit që u bënë pjesë të FTSHM-së.
FTSHM u përmbyll me sukses me shfaqjet e shumta nga 23 nëntori e deri më 26 nëntor, me pjesëmarrjen e dhjetëra nxënësve në rolet e tyre në skenën teatrore dhe qindra nxënës pjesëmarrës në sallën e kuqe të Teatrit të qytetit në Gjilan. FTSHM mbahet për të dytin vit me radhë dhe me zotimin komunal që ky festival të jetë i përvitshëm dhe tradicional. /2LONLINE/