(2LONLINE) – Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së e ka lëshuar seancën e KK, duke u ndier të fyer nga forma e drejtimit të seancës nga kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku, e cila sikurse në të kaluarën edhe sot na e ka mohuar të drejtën e fjalës gjatë seancës”, ka thënë këshilltari i KK-së Riad Rashiti, në emër të Grupimit të Këshilltarëve të PDK-së.
Ai tha se së pari thirrja e kësaj seance është bërë duke mos respektuar statutin e komunës dhe rregulloren e punës së Kuvendit Komunal. Për dy pikat e rendit të ditës nuk është sjellë asnjë material të cilën kanë qenë të obliguar të na dërgojnë shtatë ditë para thirrjes së seancës.
“Përkundër vërejtjeve tona të bazuara në rregullore dhe për hir të konstruktivitetit ne vazhduam punën në këtë seancë. Mirëpo gjatë zhvillimit të punimeve të kësaj séance, Kryesuesja e Kuvendi Komunal refuzonte të na jepte fjalën duke e shkelur dhe duke mos respektuar rregulloren e punës së Kuvendit Komunal. Disave nga ne këshilltarët komunal të PDK-së asnjëherë nuk na u dha fjala për rendin e ditës në të cilën diskutohej në këtë seance dhe ndërprerja me arrogancë e diskutimeve pa paralajmërim erdhi pas pauzës, ku edhe kryetari i komunës Lutfi Haziri iku nga seanca e kuvendit”, ka thënë Rashiti.
Duke përçuar qëndrimin e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rashiti ka thënë tutje se kryetari i komunës edhe në seancat tjera ka vepruar njëjtë sikurse sot, duke ikur nga seanca e kuvendit, në momentin kur është dashur të përgjigjet në pyetjet e ngritura dhe të parashtruara në fillim të seancës për pikën, në të ndryshme.
Ai tha tutje se grupi i këshilltarëve të PDK-së e vlerëson se me këtë formë të udhëheqjes së seancës nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, nuk po e mundëson dhënia e kontributit përmes fjalës gjatë seancave, të paktën njëherë secilit Këshilltar Komunal. Kemi përgjegjësi dhe obligim moral që të përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Gjilanit, e të cilat mund ti realizojmë vetëm nëse jemi aktiv dhe konstruktiv gjatë punimeve në seancë të Kuvendit.
“Kjo formë e udhëheqjes së Kuvendit Komunal, tregon jo gadishmërinë e qeverisjes aktuale për të qenë transparente para qytetarëve të Gjilanit dhe publikut të Kosovës. Dhe rrugë të vetme kryetari i Komunës ka zgjedhur këtë formë, duke ardhur në seancë, për të shitur moral, duke u munduar të arsyetojë mos punën e qeverisjes aktuale dhe kur duhet të i përgjigjet pyetjeve të Këshilltarëve ai ik nga seancat. Ne e vlerësojmë se kjo qasje është e gabueshme dhe e dëmshme për qytetarët dhe për mbarëvajtjen e punimeve në seancat e Kuvendit Komunal”, ka shpalosur qëndrimin e Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Riad Rashiti, njëri nga këshilltarët e këtij subjekti politik. /2lonline/