Komuna e Vitisë ka qenë nikoqire e takimit të tretë të Bordit të projektit INTERDEV 2, i cili takim u mbajt në Stubëll me që rast morën pjesë pos përfaqësuesve nga UNDP dhe Agjencionit austriak të zhvillimit, edhe përfaqësues të komunave Shtërpcë dhe Dragash.
Përfaqësuesja e UNDP-së Ulricha Richardson, duke folur rreth implementimit të Projektit Interdev 2, ka theksuar se janë parë rezultate të mirëfillta të këtij projekti, ku kanë qenë të përfshira grupe të ndryshme.
Ajo ka thënë se banorët lokal duhet të përfitojnë nga projekti, por ne duhet të sigurohemi që ky përfitim të jetë i dobishëm edhe për lokalitetin, ngase zhvillimi ekonomik është shtytje për komunitetin që jeton aty. Prandaj, qëllim i projektit është mbështetja e projekteve që kanë synim zhvillimin e bizneseve dhe shoqatave që krijojnë edhe vende të reja pune.
Ndërkaq kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, pasi ka përshëndetur të pranishmit ka thënë se ndihet I nderuar që Vitia është nikoqire e takimit të tretë të bordit të projektit INTERDEV 2.
Mes tjerash, kryetari Haliti ka siguruar për bashkëpunim dhe participim të komunës në projektet e UNDP-së edhe në të ardhmen. Duke folur për projektet e realizuara, ai ka veçuar themelimin e Zyrës së Investimeve në Viti, për të cilën ka thënë se mund të merret model nga komunat partnere në këtë projekt.
Një përmbledhje të arritjeve në gjysmën e parë të vitit 2018 dhe planin e punës për gjysmën e dytë të vitit, e ka paraqitur menaxherja e projektit INTERDEV 2, Vlora Elshani, kurse një vështrim të shkurtër të rezultateve të thirrjes së granteve të FZHL-së në 2018 dhe përgatitjen për thirrjen e granteve 2019, e ka prezantuar Bernardina Krasniqi sekretare e FZHL-së.
Në këtë takim, folën edhe përfaqësuesit e komunave Dragash dhe Shtërpcë, të cilët vlerësuan projektin INTERDEV 2 si shumë të dobishëm dhe premtuan bashkëpunim të ndërsjellët dhe të ngushtë me UNDP , respektivisht Agjencionin zhvillimor austriak edhe në të ardhmen.