Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u mbajt takimi i Bordit të Projektit të Kosovës për Siguri. Ky projekt mbështet nga misioni i UNDP-së në Kosovë. Në këtë takim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, ambasadori italian në Kosovë, z. Piero Cristoforo Sardi, zëvendësshefja e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, si dhe zyrtarë të tjerë vendor dhe ndërkombëtarë.
Me këtë rast ministri Sefaj vlerësoi se ky projekt po vazhdon të adresoj më tutje dy çështje që janë me prioritet për Kosovën: Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe Eksplozivëve, si dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Ngjarjet e fundit në Evropë, kanë treguar se ndërlidhja mes këtyre dy çështjeve nuk duhet të nënvlerësohet. Armët e Vogla dhe të Lehta dhe eksplozivët, janë gjithashtu prioritet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Planit të Veprimit për Evropën Juglindore për të luftuar trafikimin e paligjshëm të armëve, si dhe përmes Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ministri Sefaj.
Ai tha se Kosova është e angazhuar që plotësisht të marrë përgjegjësinë e saj për të luftuar dhe parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm në përputhje me Iniciativën kundër terrorizmit të Ballkanit Perëndimor.
“Bazuar në këtë që u tha më lartë, unë do të doja të falënderoj projektin e UNDP-së dhe donatorët përkatës si Qeverinë e Gjermanisë, Italisë dhe atë të Norvegjisë, për ndihmën e tyre në të dyja këto fenomene, si dhe mbështetjen e dhënë që shteti jonë të jetë eksportues i sigurisë”, tha ministri Sefaj.
Ministri Sefaj vuri në dukje se ky projekt në vazhdimësi na ka udhëzuar për të trajnuar njerëzit në njërën anë, ndërsa në anën tjetër për të krijuar procese të qëndrueshme si dhe për të ndihmuar që të punojmë me teknologjinë më të avancuar në fushat përkatëse.
Strategjia Kombëtare për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe Eksplozivëve 2017 – 2021, është një politikë e bazuar në fakte dhe e cila adreson më tej të gjitha fushat funksionale të kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Eksplozivëve dhe është plotësisht në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontrollit të Armëve të Vogla.
Ky projekt për afër 10 vite ka ndihmuar jo vetëm në fushën e kontrollit të armëve të vogla, por edhe në kontekstin më të gjerë të sigurisë, si: kontrollin e përdorimit civil të eksplozivëve, mbikëqyrjen e sigurisë private, krijimin e sistemit për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, policimin i udhëhequr nga inteligjenca dhe policimin në komunitet, si dhe çështje të tjera të lidhura me sigurinë.