Kuvendi komunal i Vitisë, ka mbajtur sot seancën e dytë të radhës ku janë shqyrtuar dhe miratuar një varg pikash, që ishin paraparë për këtë mbledhje.
Fillimisht, këshilltarët e Kuvendit kanë adresuar pyetjet dhe interesimet e tyre rreth shumë çështjeve, për të cilat kanë dhënë përgjigje zv.kryetari i komunës Hasan Aliu dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Në këtë seancë, janë prezantuar shtatë propozim vendime për mbrojtjen e vlerës së natyrës në lokalitete të ndryshme të komunës së Vitisë.
Këshilltarët kanë miratuar këto propozim vendime siç janë: Mbrojtja e vlerës së natyrës Trungu i Bungbutës në Zhiti të Vitisë, si monument i natyrës, burimi i ujit termomineral në Ballancë të Vitisë, Trungjet e Qarrit në Binçë, Trungu i Qarrit në Gërmovë, Pylli i Mllakut në Sllatinë të Epërme, Kompleksi i Trungjeve të Dushkut në Sllatinë të Poshtme, si dhe Guri i Blinave në Gjylekar, të gjitha këto si monumente të natyrës.
Po ashtu, është miratuar propozim vendimi për krijimin e qasjes së parcelës nr. 3760-0 në rrugën publike me nr. 2592-11 përmes parcelave me nr. 2586-6 dhe nr. 2582-8, plani i punës se komitetit për komunitete për vitin 2020, u miratua edhe plani i punës se komitetit për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje për vitin 2020, dhe raporti i punës së këtij komitetit për vitin 2019.
Ndërkohë, plani i punës se komitetit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2020, me kërkesë të kryetarit të këtij komisioni Basri Sylejmani, u shty për seancën e ardhshme, në mënyrë që ky plan të harmonisohet dhe kompletohet.
Në këtë seancë, u dha edhe një raport pune nga Zyra e Personelit për periudhën Janar-Dhjetor 2019.