E drejtuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e parë ceremoniale e kabinetit qeveritar.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar tha se ky kabinet është i popullit dhe se do të punojnë në emër të tyre e për ta. “Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motor për punën tonë, prandaj edhe nuk mund të pushojmë derisa të shpërblejmë besimin e tyre”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë:
Mirdita të gjithëve.
Mirë se keni ardhur dhe mirë se e gjejmë njëri-tjetrin këtu në mbledhjen e parë të Qeverisë sonë të re.
Është kënaqësi të ju shoh të gjithëve kështu të entuziazmuar për rolin dhe detyrën të cilën e keni marrë dhe e kemi marrë bashkërisht.
Po e filloj duke uruar secilin për pozitën dhe përgjegjësinë që do ta keni për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim.
Është mirë ta themi që në fillim se ky kabinet është i qytetarëve dhe se ne do të punojmë në emër të tyre e për ta.
Ata na kanë dhënë neve besimin, na kanë dhënë mandatin dhe presin nga ne që t’i realizojmë prioritetet dhe detyrat tona.
Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motor për punën tonë, prandaj edhe nuk mund të pushojmë derisa të shpërblejmë besimin e tyre.
100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal.
Karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin.
Programi jonë qeverisës është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve.
Unë s’kam dyshim se ne kemi aftësinë, guximin dhe shkathtësitë për t’i dhënë rezultatet të cilat kërkohen prej nesh.
Sytë e gjithë popullit tashmë janë tek ky kabinet qeverisës, rrjedhimisht tek secili prej jush.
Do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendësh programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët sepse me të do të zgjohemi në mëngjes e më të do të flemë në mbrëmje.
Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë ashtu siç i kemi qytetarët tanë që janë aq të mirë. Ministri i Bujqësisë duhet të kalojë më shumë kohë me fermerët se sa në zyrën e tij, e ministri i Shëndetësisë më shumë kohë duhet të kalojë me mjekë e me pacientë. Pra, jo të rrimë ulur në kolltukë e të urdhërojmë nga lartë por të zbresim poshtë e sa më afër te qytetari sepse atje është e vërteta jonë, atje shihen politikat tona.
Mandati mund të jetë edhe privilegj, por është mirë ta kuptojmë si privilegj për të shërbyer jo për të urdhëruar.
Jepini kuptim pozitës së ministrit çfarë s’ka pasur asnjëherë në Kosovën e pasluftës.
Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë si ekip.
Sukseset dhe dështimet janë kolektive dhe jo personale e aq më pak partiake. Partitë i kemi në parlament, atje janë grupet tona parlamentare, këtu punojmë si ekip.
Në këtë Qeveri nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS, do të jemi Qeveria e Republikës së Kosovës, që punon bashkë për të mirën e përbashkët. Në këtë drejtim dera ime është e hapur për çdo ditë, në çdo orë e në çdo minutë.
Asgjë nuk është me e rëndësishme për mua se sa realizimi i programit qeverisës dhe zbatimi i prioriteteve për qytetarët.
Qëllimet i kemi të mira e dëshirat për suksese të mëdha. Energjitë e akumuluara në opozitë është koha t’i kthejmë në veprim në qeveri.
Mbështetjen e gjeni tek unë e tek njëri tjetri e te njëra tjetra, dhe jam i bindur se ju tashmë e kuptoni se ky shans është unik për secilin prej jush që të tregoni aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, përkushtimin e ndershmërinë tuaj.
Takimet tona do të jenë të shpeshta e të shumta që ta koordinojmë punën dhe të rrisim bashkëpunimin mes vete sepse ministritë janë të ndërlidhura me njëra tjetrën e rrjedhimisht puna e secilit prej jush është e ndërlidhur me njëri-tjetrin.
Mos të harrojmë që qeverisja jonë është pasqyrë në të cilën qytetarët e shohin vetveten. Le të jetë kjo një pamje të cilën ata duan ta shohin sërish e përsëri, duan ta shohin vazhdimisht.
Unë ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen në këtë mbledhje të parë ceremoniale e solemne, e më pastaj do të vazhdojmë një ditë tjetër me mbledhjen për programin dhe planin tonë të punës.
Faleminderit shumë!