Është mbajtur sot në mesditë, diskutimi publik me fermerë dhe përfaqësues të bizneseve, ku u fol për planet dhe nevojat që kanë bujqit e kësaj ane.
Zv/kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu ndër tjerash tha se Komuna e Vitisë, edhe sivjet po e ndjek praktikën e mirë të hartimit të përbashkët të buxhetit komunal, në veçanti të listës për investime kapitale dhe atë me grupet e ndryshme të interesit dhe me banorë të ndryshëm të lokaliteteve.
Ai tha se po bisedojmë për një buxhet gati të dyfishuar në sektorin e bujqësisë.
Krahas shumës së deritanishme. Aliu përmendi edhe punët që pritet të bëhen në infrastrukturë, konkretisht të rregullimit dhe shtrimit të rrugëve bujqësore përmes listës së investimeve kapitale.
Ndërkaq Besnik Imeri, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim prezantoj draft buxheti për vitin 2023 duke bërë me dije se buxheti i planifikuar për vitin 2023 për komunën e Vitisë do të jetë mbi 14 milion e 996 mijë euro, nga to për paga dhe mëditje do të shkojnë rreth 7 milion e 627 mijë euro, për mallra dhe shërbime 2 milion e 432 mijë euro, shërbimet komunale 325 mijë euro, subvencione 570 mijë euro dhe investime kapitale prej 4 milion e 040 mijë euro, apo 27 % e buxhetit komunal.
Drejtori Imeri u shpreh se do të marrim rekomandimet e fermerëve dhe përfaqësuesve të bizneseve, në mënyrë që ato përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kurse drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Naim Pira, falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë diskutim publik, duke i ftuar që të japin propozimet e tyre dhe të parashtrojnë kërkesat që konsiderohen si prioritare.
Po ashtu bëri të ditur se është rritur buxheti i subvencioneve për sektorin e bujqësisë nga 170.000 euro në 330.000 euro, gjë që do të arrijë të shtohet mbështetja në zhvillimin e bujqësisë në komunën e Vitisë.
Ndërsa në pjesën e dytë të debatit, fermerët parashtruan një varg kërkesash. Fermerët nga zona e fshatit Debellde, kërkuan që ky fshat të vizitohet dhe të shqyrtohen nevojat që kanë bujqit e zonave të largëta.
Të pranishmit kërkuan edhe rregullimin e rrugëve bujqësore, furnizimin me mekanizma bujqësorë të një cilësie të mirë dhe atë me bashkëfinancim të bujqve. Të kontrollohen barnatoret bujqësore dhe produktet që shesin, posaçërisht farat. Të forcohet sektori i inspektoratit dhe të parandalohen tregtimi ilegal i kafshëve. Të angazhohen ekspert për këshillime për sektorin e bujqësisë dhe laboratore për analiza bujqësore. Të këtë përkrahje për përpunuesit dhe shtim të trajnimeve për biznes planet, etj.
Ndërsa nga komuniteti i biznesit, pati pyetje për ecurinë e punëve të parkut industrial në Budrik, si dhe u paraqitë si shqetësim problemi i energjisë elektrike dhe mos informimi me kohë për reduktimet. /2lonline/