“Zbulimi i eshtrave të dy viktimave në dy varreza të ndryshme është dëshmi e mizorisë së shtetit shovenist serb, që kthehej në vendin e krimit për t’i vrarë për së dyti viktimat e veta, duke ua zhvarrosur trupat e duke ua shkapërderdhur eshtrat nëpër varreza masive në Serbi. Kjo këtu sot, është e vërteta që është përpjekur të mbulohet në varreza masive, me heshtje mbi dy dekada,” tha kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti në homazhet për viktimat e masakrës së Rezallës.
Së bashku me familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z. Andin Hoti, Kryeministri Kurti ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule mbi arkivolet e nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, e që sot u kthyen në Kosovë.
Sipas raporteve të identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.
Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave u realizua në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. /2LONLINE.com/