Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci priti në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili.
Me këtë rast, ambasadori Angili ia uroi ministrit Maqedonci detyrën e re, para se të diskutonin rreth shumë çështjeve të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e me theks të veçantë bashkëpunimin ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy shteteve në këtë drejtim.
Implementimi i planit bilateral, thellimi i bashkëpunimit në zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta, shkollimi i kuadrove të reja të ushtarakëve, ishin disa nga pikat kyçe të diskutimit.
“Zhvillimi i FSK-së dhe politikave të mbrojtjes për të garantuar siguri për qytetarët dhe mbrojtje territoriale, do të jetë angazhimi ynë i përditshëm si Ministri”, theksoi ministri Maqedonci gjatë këtij takimi.
Nga ana e tij ambasadori Angili shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën që pjesëtarët e FSK-së kanë ofruar gjatë misionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Turqi.
Gjithashtu, ambasadori theksoi se Turqia mbetet e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për ngritjen e kapaciteteve luftarake të FSK-së në aspektin e kuadrove dhe armatimit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. /2LONLNE/