Edicioni i 33-të i Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”, përmes njërës nga shtyllat kryesore të këtij Manifestimi – pjesës letrare, përkatësisht “Tryezës letrare”, do të vlerësojë krijimtarinë letrare të njërit nga shkrimtarët tanë të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, Musa Ramadanit.
Më 27 janar 2024, ora 13:00, në Bibliotekën e qytetit, “Fan S. Noli”, emra të shquar të letërsisë dhe të kritikës letrare e studimore si Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Nexhat Rexha, Sherafedin Kadriu, Zyrafete Shala, Aziz Mustafa e Arsim Halili përmes këndvështrimeve të tyre, do të trajtojnë veprën letrare të këtij shkrimtari, duke i vënë në pah vlerat artistike si në gjininë e poezisë, prozës, dramës po dhe kritikës teatrore .
Përndryshe, Musa Ramadani u lind në Gjilan, më 21 maj 1944 ku dhe kreu shkollimin fillor e të mesëm . Shkollën e lartë pedagogjike e mbaroi në Prizren, atje ku e pat jetuar një pjesë të jetës. Për pak kohë punoi si mësues, në disa fshatra të Gjilanit( Kurexh e Pidiq) e të Vitisë (Gjylekar ), po edhe në gjimnazin e Gjilanit.
Nga viti 1965 nisi punën si gazetar në gazetën e përditshme “Rilindja”, së cilës nuk iu nda deri në pensionim.
Libri e parë me poezi, “Mëkatet e Adamit” iu botua në vitin 1969. E, , në çarkun kohor prej gjysmëshekulli, edhe një serë veprash tjetra në poezi, prozë, dramë dhe kritikë eatrore.
U nderua dhe me një serë çmimesh, qoftë për vepër më të mirë të vitit ( Satana ma vodhi gurin e urtësisë ) – çmimi “Hivzi Sylejmani” nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, pastaj u nderua nga komuna e Gjilanit me çmimin letrar “Beqir Musliu” ( 2006 ), nga ana e MKRS, me Çmimin për vepër jetësore ( 2012 ) dhe së fundi, më 2017 në Tiranë, me Çmimin letrar “Kadare”, për romanin e tij, “Profeti nga Praga”.
Tri vite më vonë, përkatësisht më 10 mars 2020 ndërroi jetë në Prishtinë, ku edhe u varros.
Së shpejti pritet dhe botimi i kompletit të veprave të këtij autori.
/Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan/