Triptik për Kumanovën
Xhevat Xh. Latifi
( Udha e Kumnovës )
Në të dalë prej shtëpisë sime në udhëkryq
Te kroi i Lekës
Nana e Skifter Arifit, hapëron drejt perëndimit të diellit
Është rruga e Sllupqanit thotë dhe nuk habitet me përmend Udhën e Kumnovës
Dhe këtë rrugë ajo e bënë çdo ditë
Çdo lindje dielli, çdo festë dhe natën deri sa t’i futet gjumit të thellë
Këtë rrugë e ka bërë edhe Idriz Seferi
Në vjeshtën e fundit kur ju futën në këmbë Shkupit!
Te Maja-t e zeza kësulëbardhat shqiponja në qiell
Atje një nënë që nga pritja bëhet gurë…
( Marrëveshja e Kumanovës )
Njëqind vjet pas golgotës së Kumanovës
Letrat e Trockit, shtrohen si relikte në tavolinë
Një gotë dhe një shishe mbeten të pa prekura
Gjenerali Michael Jackson, e nxjerr nga ëndrra gjeneralin Pavkoviq
Ai kafshon buzën me një laps me ngjyrë të kuqe
Bëhet të jetë i dehur, bëhet se po këndon këngën
Është vonë Janko, të ikim…
Më pas një histori e re nisë të shkruhet
( Ora letrare)
E di se unë kam bërë shumë faj
Dëgjohet baladë roku e Sunaj Raimit
E Azem Shkreli, shkruan të ketë qarë për Arbërinë
Me faj e me vaj, thua:
Sall dashuria dhe dielli këtë vend e kanë shpëtuar
Sall dashuria dhe dielli këtë vend nga mallkimi e ruajnë
Është sofër Zeusi për rreth me nimfa e zana jeshile dhe blu..
Një ditë keni për të kuptuar se këtë vende e deshti Zoti
Njësoj siç e dua unë, siç e donë ti!
***
Çmimi poetik “Fadil Bekteshi”, vendi i parë në edicionin e XXVII të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, Kumanovë 11 mars 2019
LEXO EDHE: Çmimi i parë “Fadil Bekteshi” i ndahet poetit Xhevat Latifi me poezinë “Triptik për Kumanovën”