Në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll, FC Drita ka shënuar fitore në udhëtim, duke mundur Dukagjinin, me rezultat 0-1.
Golin e vetëm, por të fitores, për gjilanasit e realizoi qendërmbrojtësi Ardian Limani, në minutën e 6-të të takimit.
FC Drita edhe në këtë takim vazhdojë të tregojë performancë të mirë dhe me këtë fitore vazhdon të përforcohet edhe më, në krye të tabelës së klasifikimit, ku nga këto 11 xhiro, ka grumbulluar 27 pikë dhe është skuadra e vetme në superligë që nuk ka pësuar humbje.
Lideri i tabelës, ndiqet pas nga Ballkani që ka 21 pikë, por nga tetë ndeshje.
Pas ndeshjes, Ardian Nuhiu, kryetrajner i Dritës ka thënë se i kishte përgatitur lojtarët për ndeshjen e sotme, ua kishte bërë me dije vështirësitë dhe se ata me përpikëri i kanë kryer detyrat.
“Për ne pushim nuk ka, ngase shumë shpejt do të përballemi me Prishtinën, kurse unë jam i lumtur për fitoren e shënuar dhe për këtë i përgëzoj të gjithë ata që dhanë kontribut”, ka thënë kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu. /2LONLINE/