Shkruan: Sabit Rrustemi
Pasditen e djeshme ( 22 mars 2024 ) u dha kumti se ndërroi jetë, figura më emblematike e gazetarisë anamoravase, Hasan Bunjaku, i cili njëkohësisht ishte një nga veprimtarët e shquar kulturorë të kësaj pjese të Kosovës, po edhe krijues letrar e një institucionalist i shquar i Gjilanit, mungesa e të cilit do të ndihet jo vetëm brenda Familjes që e la të pikëlluar, po edhe mes miqsh e, veçanërisht në jetën tonë publike kulturore e letrare.
E kam njohur si emër që nga viti 1974 e këndej, kur gazetën e përditshme RILINDJA, ( e cila prej vitesh nuk del më) zunë ta shpërndajnë edhe në Zhegër, e të cilën, unë si fillorist e bleja rregullisht.
Por, për herë të parë me të i shtrënguam duart më 31 tetor 1990, në holin e Teatrit të qytetit të Gjilanit, në sallën e të cilit po mbahej, jo një shfaqje teatri, po një manifestim politik – Kuvendi i parë zgjedhor i degës së LDK-së të Gjilanit, ku unë isha i pranishëm dhe iu kisha jthyer jetës publike, pas nëntë vitesh shkëputjeje, shkaku i një dënimi dhe përndjekje nga pushteti i kohës, për shkakun e një tregimi të botuar në fillim të prillit 1981.
– Të paskan pjekur këto vite, more djalë, e hiç nuk të paskan plakë! Ishin fjalët e para të tij pasi u njohëm së afërmi.
Rrudha krahët, i skuqur pakëz dhe s’dita ç’t’i them pos: “mbase, nuk e di …”
Pas asaj date e këndej, zumë të takoheshim më shpesh. Ai me angazhimet e tija në fushën e gazetarisë, e unë si pjesë e një lëvizjeje politike ku isha bashkangjitur për të ndihmuar sadopak në përmbushjen e kërkesave tona për jetësimin e republikës së Kosovës, angazhim që tashmë e kisjhim shpërfaqur botërisht.
Një urë e madhe afrie mes nesh nuk ishte vetëm i njëjti qytet, apo dhe të njëjtat synime, por edhe shumë miq të përbashkët që i kishim, nga të cilët po i veçoj vetëm dy emra, shkrimtarin Beqir Musliu, të cilin ai e kishte pasur shok klase e banke dhe gazetarin Ilmi Musliu, me të cilin ai punonte në një zyrë dhe për të njëjtën gazetë, e që unë poashtu e kisha pasur shok klase në gjimnazin “Zenel Hajdini”. Dhe, kjo ndikoi shumë në afrinë tonë dhe në angazhimet që sa vinin e dendësoheshin sidomos në fushën e kulturës, ku ishim më të fokusuar, si ai, po edhe unë… e shumë të tjerë, me të cilët pas një viti ( 1991 ) edhe themeluam Shoqatën e pavarur kulturore të Gjilanit, si një alternativë kulturore në këtë pjesë të Kosovës Lindore, ngase Qendra për kulturë e Gjilanit ishte uzurpuar nga masat e dhunshme të pushtetmbajtësve serbë, të cilët, falë forcës shtetërore i kishin pushtuar të gjitha institucionet lokale e publike, madje dhe ndërmarrjet publike e fabrika, pos popullit që i përkisnim, shqiptarëve.
Nga takimet me bacën Hasan, siç e quaja gjithnjë, mësova shumë prej tij, sidomos për jetën politike e angazhimet e institucioneve lokale gjatë viteve tetëdhjeta e këndej, për figurat e ndryshme dhe të rëndësishme të Gjilanit me rrethinë, për zhvillimet kulturore që në Gjilan kishin qenë bukur të bujshme, sidomos, “Takimet e majit”, një festival i shoqërive amatore të Anamoravës, “Takimet e vendlindjes”, një festival poetik i shkrimtarëve të kësaj ane dhe miqve tjerë letrar, pastaj Festivalin e teatrove amatore të Kosovës që përvitshëm mbahej në Gjilan, për klubin letrar “Dardania”… e shumë e shumë gjëra të tjera, për të cilat nuk kisha pasur informacione të bollshme dhe tash po i merrja nga dara e parë e iniciatorit të tyre po dhe organizatorit të mirënjohur, bashkë me shumë të tjerë, si Ibrahim Shabani, Ali HurugIca, Isa Jakupi, Sabedin Shahiqi, Izet Kallaba, Nexhmedin Ymeri, Ruzhdi Mehmeti … e plot të tjerë.
Rrethanat politike të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (XX) dhe, veçmas ajo përmbysja e madhe e sistemit monist që kish ndodhur në të gjitha sferat e jetës në Kosovë e në hapësirat e ish Jugosllavisë së asaj kohe, na kish lënë tashmë pa këto festival. Ne, bashkë me gjithë të tjerët e kësaj fushe, po kërkonim alternativa të reja për organizimet që na duheshin e na prisnin, sidomos në këtë pjesë të jetës, nga më të gjallat thuaja, kulturën, rininë e sportin.
Pa humbur shumë kohë, filluam dhe i konceptuam nismat e para të kësaj natyre, duke mos i harruar dhe angazhimet tjera të përditshme, baca Hasan me Ilmiun në përcjelljen e vlimeve të shumta politike, e unë, si krah i tyre nga subjketi të cilit i përkisja, për vite me radhë.
Gjatë gjithë vitit 1991 u angazhuam me grupe të ndryshme veprimtarësh, nga fusha e muzikës, artit skenik, atij pamor dhe letrar që t’i bënim planet vepruese, sipas fushave përkatëse dhe t’ia afronim për konsultim, sugjerim e aprovim, Shoqatës së sapothemeluar.
Në ndërkohë, në janarin e vitit 1992 veç filluam me “Flakën e Janarit një manifestim i shumëllojshëm I kulturës, ku ishin përfshirë katër shtyllat e saj kryesore, muzika, teatri, arti figurative dhe ai letrar, në nderim e përkushtim ndaj martirëve dhe figurave të shquara të kombit.
Pas realizimit me sukses të këtij manifestimi, unikat në këto treva të Ballkanit, madje dhe në kushte të egra okupimi, ne fituam përvojë, guxim po edhe nxitje për të shkuar mëtej.
Një vit më pas, u varguan edhe veprimtari të tjera kulturore, sportive, po edhe rinore. Bashkëpunimi i ngushtë me Forumin e Rinisë të Degës së LDK të Gjilanit, i rreshtoi futbollistët e vjetër e të rinj në Ligën komunale të futbollit, fillimisht në terene të vogla sportive, ku ndodhi një mobilizim i madh i të rinjëve në krejt komunën e Gjilanit. Po, jo vetëm kaq. Përmes ansambleve të ndryshme të Gjilanit, të prirë nga Ansambli “Gurra”, u mbështet festivali “Gurra popullore”, pastaj një sërë veprimtarish tjera letrare e të artit figurative dhe, të prira e të mbështetura nga Këshilli komunal për kulturë, rini e sport, në krye të të cilit përmes subjekteve politike të Gjilanit, u zgjodh Hasan Bunjaku, thuaja në tërësi i konsolidua ky segment i rëndësishëm kulturor, sportive e rinor, i cili përmes veprimtarive të organizuara manifestonte qëndresë ndaj pushtetmbajtësve serbë po, edhe dëshmonte se di dhe mund të organizohet edhe në kushte të tilla okupimi ku, iu mungonin sallat, terrenet dhe kushtet minimale për punë e anagazhim, por, jo edhe vullneti, jo edhe dëshira për liri, paavarësi e demokraci.
Falë përvojës dhe gjeturisë së Hasan Bunjakut dhe drejtuesve të shtyllave kryesore të kulturës, rinisë e sportit, kjo frymë angazhuese u ruajt gjatë gjithë viteve nëntëdhjeta.
Në Gjilanin e atyre viteve, falë Shoqatës së Pavarur kulturore si dhe Këshillit komunal për kulturë, rini e sport, si pjesë e sitetmit paralel në nivel Kosove që e ushtronte shumica shqiptare, vit për vit si manifestim tradicional u organizua, Flaka e janarit”, “ Gurra popullore”, “Vullneti Rinor” ( përmes FR të Degës së LDK-së), Liga komunale në futboll të vogël ( derisa u organizua në nivel Kosove – Liga e parë e Kosovës në futboll ) po edhe “Pranvera e librit”, një manifestim i disavitshëm letrar në nderim të poetit Rexhep Elmazi si dhe ekspozita e përurime librash, “Karvani i shkrimtarëve për fëmijë… madje dhe zgjedhje misesh e top modelesh, me qëllim të ruajtjes së qenësisë shqiptare dhe sforcimit të gatishmërisë edhe për procese më të vështira që do të kulmonin pastaj gjatë viteve 1998 – 1999-të.
Do përmendur se, Hasan Bunjaku, përveç drejtimit dhe pjesës së organizimit, gjatë gjithë këtyre viteve dha një kontribut të madh dhe në informimin e opinionit të brendshëm e të jashtëm për gjitha këto zhvillime nga kjo fushë, e që s’ishin të pakta, përmes gazetës së përditshme “Bujku”, meqë “Rilindja” ishte ndaluar me vendim politiko-policor.
Pas mbarimit të luftës dhe fitimit të lirisë, Hasan Bunjaku u emërua Përgjegjës i kulturës në Drejtorinë komunale për kulturë, rini e sport, pozitë të cilën e ushtroi me sukses deri në pensinim, përkatësisht deri më 1 janar 2009-të.
Kulturën gjilanase e la edhe me një veprimtari të denjë nderuese, me Çmimin letrar “Beqir Musliu”, si dhe me një konsolidim të dukshëm të “Flakës së Janarit, i cili tashmë ishte shtrirë në shkallë kombëtare.
Pamvarësisht pushimit meritor, shkaku i moshës, Hasan Bunjaku deri në marsin e vitit 2020 ishte aktiv në jetën kulturore të kësaj komune.
Shfaqja e pandemisë botërore, e njohur si Covid – 19 dhe mbyllja prej gati dy vitesh, po edhe disa ngjarje – vdekje brenda familjes, e rëmnduan shumë por nuk e përkulën bacën Hasan.
Ai iu kthye prirjes së hershme, krijimtarisë letrare, ku kishte treguar afinitete, si në fushën e poezisë, në mendimin kkritik letrar, në vlerësimin e shfaqjeve teatrore , po edhe në mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të popullit të kësaj ane.
Fillimisht, ai rimblodhi e i sistemoi mbi dyzet e sa poezi të mbetura nëpër revistat e gazetat e kohës në një dorëshkrim poetik me titull, “Kapricio jete”, kryesisht poezi të shkruara kah fundi i viteve gjashtëdhjeta dhe fillimit të viteve shtatëdhjeta të shekullit të shkuar.
Pastaj, përmes rrjeteve sociale e portaleve, shkroi edhe një serë anekdotash popullore, histori familjare po edhe lojëra të ndryshme fëmijërore në vargje, të cilat janë një thesar i çmuar i traditave tona e që meritojnë të botohen dhe të bëhen pjesë e letërsisë sonë.
Prej gjithë këtij angazhimi krijues, letrar e shpirtëror, ku dëshmoi një pprofesionalizëm të pashoq, vitin e kaluar arriti për të gjallë të tij, ta shoh të botuar prozën dokumentare me titull, NJË GJAKIM I PAFAT, falë djalit të tij, Ridvanit, si dhe shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
Kjo vepër, nga Ars Clubi “Beqir Musliu” si dhe DKRS-ja e Gjilanit, u veçua si vepra më e mirë e botuar në prozë për vitin 2023.
Në një solemnitet rasti, organizuar në prag të ndërrimit të viteve, mungoi për arsye shëndetësore. Po, vepra e tij, ishte dhe vazhdon të mbetet pjesë e bibliotekave tona.
Me një fjalë, gjatë gjithë këtyre dekadave, Hasan Bunjaku asnjëherë nuk iu shmang obligimeve dhe përgjegjësive që merrte, qoftë si mësimdhënës, si gazetar, si veprimtar apo dhe si përgjegjës institucional. Por, me një korrektesë të theksuar iu doli zot, ashtu si i ka hije. Diti të nderojë po, edhe u nderua përmes punës dhe angazhimit.
I dhënë pas angazhimeve publike e institucionale, ai mbase mund t’i ketë munguar familjes, mund t’mos iu ketë lënë pasuri monetare , po i ka brumosur me kulturë, me edukatë qytetare dhe, mbi të gjitha, përmes jetës dhe eveprës së tij, iu ka lënë emër.
Dhe, jo vetëm Familjes, po edhe komunës së Gjilanit e krahinës së Anamaoravës.
Ne, edhe kemi mundur t’i mbesim borxh atij, po Ai neve, jo…
Ndaj dhe i them pa ngurrim: faleminderit baca Hasan për krejt atë që bëre për popullin dhe vendin tënd.
Nga Rrezja e Çepurit/ Zhegër, 23 mars 2024