/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë, konkretisht drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit Skender Ahmeti, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp, ku me theks të veçantë është folur mbi sëmundjen gungore të lëkurës, që është përhapur te gjedhet, apo “dermatoza nodulare e gjedhit” që tashmë ka prekur edhe Komunën e Vitisë .
Përndryshe me kërkesë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, është kërkuar që për qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundje, të mbyllet tregu i kafshëve edhe në territorin e Komunës së Vitisë. Drejtori Ahmeti, ka folur lidhur me simptomet e kësaj sëmundje, si dhe për masat parandaluese të përhapjes së saj.
“Për shkak të sëmundjes gungore të gjedhit që është e pranishme në gjithë Kosovën, por edhe në komunën e Vitisë, ne para një muaji jemi detyruar të mbyllim tregjet e kafshëve, por edhe qarkullimin e tyre nga ferma në fermë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e kësaj sëmundje. Fatkeqësisht, kjo sëmundje është e pranishëm edhe në komunën e Vitisë siç është e vërtetuar në fshatrat Buzovik e Smirë , si dhe ka raste të dyshimta në fshatrat Mogillë dhe Letinicë “, u shpreh Ahmeti.
Ai tha se përkundër kërkesave të shumta nga fermerët për hapjen e tregjeve, kjo njëherë për njëherë është e pamundur, ngase pa vaksinimin e kafshëve, ajo mund të përhapët më shumë duke shkaktuar dëme edhe më të mëdha fermerëve.
“Komuna e Vitisë, ka një kontratë me Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinës, që të bëhet vaksinimi i gjedhëve për këtë sëmundje, por fatkeqësisht nuk ka numër të mjaftueshëm të vaksinave dhe këtë nuk ka mundur të siguroj Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës, për shkak se ata kanë një dozë prej 25 mijë vaksinave për gjithë Kosovën”, tha Ahmeti.
Ai bëri me dije se me dozën e vaksinave që ka pranuar Komuna e Vitisë, është bërë vaksinimi i kafshëve, por potencoi se ato nuk janë të mjaftueshme për këtë komunë duke ditur numrin e fondit blegtoral.
Njëiherit, ka bërë kërkesë fermerëve që të marrin masat preventive për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje, si me preparatet të cilat gjenden në barnatoret bujqësore, me qëllim që të parandalohet kontakti i kafshëve me insektet të cilët bartin virusin.
Ahmeti bëri me dije se kjo sëmundje fatmirësisht nuk bartet tek njerëzit por ajo shkakton dëme të konsiderueshme në fondin blegtoral dhe çon deri tek ngordhja e kafshës. Edhe pse në komunën e Vitisë janë shfaqur simptomat e kësaj sëmundje nëpër ferma, drejtori i Inspekcionit pohoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë ngordhje nga kjo sëmundje./2L ONLINE/