(Për tregimet e veprës Mëkati që (s’)e bëmë të Sabit Rrustemit)
Nga: Sherafedin Kadriu
Sabit Rrustemi është njëri ndër poetët më të njohur në Kosovë, sidomos për motivin erotik të trajtuar nga aspekte të ndryshme, pa e përsëritur veten. Me këtë zhanër që e ka për shpirt, dëshmon libri i tij i jetës në dy vëllime “Hyjnorja ime je ti 1” dhe “Hyjnorja ime je ti 2”, ku janë përfshirë 662 poezi dashurie, që shprehur me gjuhën e vetë poetit, Hyjnorja…nuk është tjetër pos Bibla e dashurisë së tij.
Kësaj radhe, megjithatë po merrem me përmbledhjen e tregimeve “Mëkati që (s’)e bëmë”, e botuar vite më parë( 2016 )nga Shtëpia botuese “BeqirMusliu”.
Tregimeve të Sabit Rrustemit mund t’u printe si postulat një mendim i EdgarAlan Po-së: tregimi shkruhet për hir të fjalisë së fundit, i nxjerrë nga një ligjëratë e Borhesit, mbajtur me studentët, sepse vlerat artistike që përmbajnë tregimet e këtij shkrimtari, përmbushin domethënien analitike, jo vetëm të thënies, por të tërë arsyetimit sintetizues të ligjëratës së Borhesit në tërësi. Në këtë rrjedhë, do të pasonte arsyetimi në trajtë silogjizmi për të nxjerrë një përfundim si gjykim, duke vënë në përballje prozën me poezinë.
Qysh në fillim duhet thënë se disa prej tregimeve kanë parë dritën në revistat letrare të kohës, duke bërë jetë të stuhishme në kapërcyell të shekullit XX, ashtu siç e pati jetën vetë populli ynë. Në vitin 2016, si vepër me tregime të përzgjedhura nga studiuesi i letërsisë, Anton Nikë Berisha, del vëllimi me titullin sugjestiv Mëkati që (s’)e bëmë.
Tregimet e këtij libri rrëshqasin nëpër historinë familjare dhe kombëtare, por duke sjellë diçka më thellësore se vetë historia, – sjellin besimin në idenë a ëndrrën shekullore, ndaj së cilës duhet të jesh besnik. Ato, tregimet pra, gjithnjë do t’i përkasin të tashmes konkrete, duke u bërë pronë kampesh të të kundërtave dhe etnive të ndryshme, duke fshehur një kuriozitet që të mbanë aktiv gjatë leximit, pa qenë nevoja për zorin a detyrimin.
Në këtë kontekst duhet shenjëzuar një shkathtësi komunikimi poetik për aq sa shijohet mendimi metaforik, përndryshe serioziteti vërehet në mënyrën e ndërtimit të tregimit, përkatësisht të strukturimit, duke u kapur për një detaj jete a ngjarje, që në shikim të parë është i rëndomtë, por mu ai detaj bën jetë si ide e ngritur mbi ngjarjen. Po për këtë natyrë krijimi, në tregimet e këtij autori rëndësia e ngjarjes merr nga rëndësia e idesë.
Për një specifikim të radhës, duhet nisur nga tregimi Arka e Vjetër, që edhe ashtu u prin tregimeve të librit. Po ta shikosh në aspektin e ngjarjes, leverdia e mbajtjes mend të këtij tregimi, lidhet me idenë, dhe jo vetëm të një ideje. Çështja – ide qendrore vjen e përkëdhelur si vetë arka që kur preket fundi i saj i zbrazët, atëherë trazohet me zbrazëtinë e saj që thirret jetë, prej ku nisin tregimet – njëri pas tjetrit. Se vetëm ashtu jetohet përmes emrit që mbetet në veprën e shkruar mes jetës së jetuar nga Vendlindja e deri te Vendvdekja, do ta përkufizonte angazhimin poetik vetë shkrimtari.
Ideja tjetër ka të bëjë me aspektin socio-etnik. Ajo nxjerr krye në takimin që ndodh ndërmjet rrëfimtarit dhe mixhës Gegë:
“E gjeta nën Hijen e Kryqit, aty mbi shtëpitë e lagjes së tyre. Si më pa, deshi të ngrihej nga aty e të më priste gjetkë. Mos luaj vendit, i bëra zë që larg. Ato që ju i konsideroni të shenjta i nderoj edhe unë”. Arka e Vjetër, f. 18.
Gjersa rrëfyesi dhe mixha Gegë diskutojnë për zbrazëtinë e arkës, për amanetin e zbrazëtirës dhe rolin e vetë zbrazëtirës në jetë, ideja qëndron mbi zbrazëtinë: është qëndrimi i njëjtë në aspektin socio-etnik. Të dy vënë përpara kombin në raport me fenë, që në të vërtetë paraqet një çështje ideologjike të qëndrueshme. Një çështje që aktualizohet shpesh, që nuk mund dhe nuk duhet konsideruar si tolerancë, sepse toleranca nënkupton ta durosh tjetrin, por si harmoni divergjencash vëllazërore.
Si të tilla, idetë shpërfaqin universalen me të mirat dhe të këqijat, siç është e ndërtuar bota jonë, ambicioze deri në fund, por ambiciet estetike janë ndryshe. Ato formësojnë ndryshimin për kuptueshmërinë e njeriut.
T’i interpretosh tregimet e Rrustemit në këtë aspekt, nuk mund e të mos vësh në pah kontekstin e krijimit të tyre që t’i nxjerrësh vlerat ekzistuese, të cilat njihen në kuadër të historisë së krijimit artistik, prandaj kritika ka çfarë të gjakojë në idetë e këtyre tregimeve.
Vetë njeriu i tregimit është i mbrujtur me emocionin e kontrolluar. Nuk është nga ata të ngutshmit që vlojnë si qumështi. Ia di vlerën thënieve popullore, që dolën nga përvoja, e zunë vend në oda si sprovime. Në këtë dubël jete, autori cilësoi qëndresën fitimtare si koncept letrar të tregimeve të tija. Pra, në këto tregime të Rrustemit nuk duhet kërkuar dëshmi për jetën, por thelbin e jetës, që është një histori skenash të përshkruara dendur, e cila ndodh kudo në hapësirën gjeografike. Mjafton gjuha e cilitdo, që tregimi të kapë konkreten e kohës së tashme si te Floberi ose Xhojsi (sipas MilanKundera), kurdo që të përsëritet ngjarja.
E bukura e këtyre tregimeve është mënyra e strukturimit të rrëfimit, i cili del ndryshe, për aq sa rrjedha narrative ndryshon konceptin dhe definicionin klasik. Së këndejmi, nuk bëhet fjalë për një skematizëm ndërtimesh. Në tregime, më shumë se personazhi, trajtohet jeta njerëzore nëpërmjet ndonjë veprimi të çastit, mendimi të matur, situate edhe konfuze etj. Personazhet janë nga më të ndryshmit, si për nga mosha, gjinia, po ashtu edhe për nga profesioni, si dhe kushtet socio-ekonomike dhe përgatitjet intelektuale.
Ngjarjet janë të kohëve të ndryshme, që nuk ndodhin njëherë. Nëse nuk do të përsëriten në një gjeografi historike, nuk është larg mendsh se përsëriten në një tjetër gjeografi. Të tilla manifestime karakteristikash hasen jo vetëm në tregimin Nën maskën e mysafirëve.
Sado që sipas shkrimtarit (bisedë shoqërore), ngjarja e tregimit nuk kishte të bënte fare me situatën e vitit 1981, kur ndodhën demonstratat studentore, megjithatë tregimi ngërthen në vete atë brendinë e dukshme të asaj gjendjeje, të cilën e kujtojmë si realitet të kohës konkrete. Sqarimi i shkrimtarit për idenë e tregimit dhe strukturimi i tregimit në anën tjetër, rrinë përkarshi. Duket se tregimi ka bërë jetën e tij të pavarur nga autori. Nuk i ka interesuar nëse imagjinata e tij po derdhej artistikisht për një kohë tjetër, e do të fliste për aktualitetin konkret. Nuk i ka interesuar nëse imazhi i tij mund të interpretohej si i dobishëm nga kampi i kryengritësve të rinj. Nuk i ka interesuar nëse kampi tjetër, ai i ngjyrave blu që ne i shihnim të zeza, do ta interpretonte sipas shijes së tij. Përkundrazi, Nën maskën e mysafirëve, u paraqit guximshëm para lexuesit dhe komunikoi me të ashtu siç deshi vetë. Është psikologjia dialoguese e këtij tregimi që vishet me ndjenjën e vetëshkatërrimit, para se komunikuesit të shkatërrohen nëpër territore qëndrestare. Ky përfundim, mbase i shpresës, përmbush kuriozitetin e lexuesit.
Tregimi tjetër, Pika e Zezë, botuar në vitin 1980, mund të jetë ndër tregimet më të arrira, ani pse autori ende ishte në nismë të krijimtarisë, sidomos asaj prozaike. Dhe, jo vetëm për temën interesante, por për mënyrën e trajtimit e të ndërtimit njëkohësisht. Siç është thënë tashmë, në tregimet e këtij autori të rëndësishme janë idetë, të cilat vishen me petkun e veprimit e mbulohen me ngjyrë kursimi. Janë ide që për bazë kanë ngjarje konkrete, të cilat më pas ngrihen në nivel të simbolit, po nuk formësojnë simbolizëm. Pika e Zezë ka veçantinë e tillë. Copa e Akullit që ka arritur në anët tona me mijëra të tjera para e prapa, ka ngecur, as nuk shkon më tutje, as nuk kthehet prapa. Mësymjeve të saja nuk u bëhej dot ballë, prandaj vendësit iu ringjiteshin kodrave, të cilat i kishin lënë kohë më parë. Ky është fundi i antikitetit të vonë dhe fillimi i mesjetës së errët që zbardhëllohet në këtë tregim. Është simbolika e së keqes, e trupëzuar në Copën e Akullit, është simbolika e së mirës e gjethëzuar në gjethet e lisave e fijet e barit që përcëlloheshin e shkrumboheshin, sa herë bënte luftë Copa e Akullit me Dritën e Diellit.
Të mbrujtur me art, tregimet monumentalizojnëuniverse dramash të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë, strukturuar, fjala vjen, te tregimi Imazhi i pavdekshëm, kushtuar atdhetarit Shaban Jashari. Është thellësorja artistike, etike, sociale e patriotike, e motivuar nga sekuenca thelbësore e një ngjarjeje dramatike që kishte ndodhur tashmë, një ngjarjeje që po ndodhte në realitet, ose që mund të ndodhte. Në këtë kontekst duhet parë një nga motivet më të trajtuara në këto tregime, – motivin e qëndresës që shëmbëllen realitetin, të nyjëtuar jo vetëm gjuhësisht.
Autori është perceptues i shkathët, sepse faktet e ndryshme, copëzat e jetës, kallëzimet rastësore, mësimet e odës, ato të dijes e përvojës shkollore etj., i ka lidhur mes vete në një hallkë që rrjedhon kapërcime kohore. Të kësaj natyre janë tregimet e shkurtra si: Rrëfimi që s’rrëfehej, Misteret e Gudinës, Baci, Shehri, Hiri i shtëpisë, Prehem nën qerpikun e sajetj.Tregimet e këtillashpeshherë janë filozofike, por të veshura me poetikë të mirëfilltë. Ato kanë një organizim të tillë tekstor a shenjash gjuhësore që u përshtaten situatave a gjendjeve të caktuara të personazhit, herë vepruese, herë motivuese, e herë tjetër si trajtime psikologjike.
Janë edhe dy a tri tregime, të cilat karakterizohen për kompozicione të shkurta, jo mëvetësuese, sepse ato i bashkon tematika, si tregimi Fletëza të shqepura, Si fletëza të zverdhura ditari, Copëzat e një dashurie që s’u harrua etj.
Tregimet shpeshherë përshkohen nga një ironi e një humor i lehtë, që merr ngjyrë freskimi, siç ndodh me tregimin Gjëmimi i tokës. Të tjerët janë duke punuar për thurjen e gardhit e Ramizi fle. Po kur nis lufta, zgjohet edhe Ramizi. Dhe nuk janë të vegjël për të mos e ditur çfarë i pret. Ama, e presin përballjen burrash. Të keqes s’i iket, si punë fati i shkruar. Dhe ja ironia që shpërfaqet në fjalinë e fundit të këtij tregimi, kur Shaipi i drejtohet Ramizit: Kjo (lufta) krisi se krisi, veç të kishe pas fjetur edhe pak se…., (Gjëmimi i tokës f. 96). Herë tjetër tregimet përshkohen si të tërë nga një ironi e mirëfilltë. Kështu mund të thuhet për tregimin Mbaroi lufta pa e shkrepur një plumb, nëpërmjet të cilit autori ka ironizuar jo vetëm vetveten, po të gjithë ata që nuk e zbrazën një plumb për Kosovën, kur ajo pati nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër. Aty është edhe tregimi Baci e ndonjë tjetër. Kjo mënyrë trajtimi e situatave bën të mundshme që portretizimin fizik të personazheve ta mbushë me portretizimin shpirtëror, në të vërtetë aktet e veprimit, të cilat vijnë para lexuesit të veshura me logjikën e tyre.
Me pak fjalë, mund të thuhet se koncept i bazuar në mënyrën e të shprehurit dhe të rrëfimit, tema e trajtuar, idetë e ngritura, imagjinata e pasur etj., dëshmojnë për veçantitë e shumta dhe vlerat e mëdha poetike të tregimeve. Kjo vërehet sidomos te tregimet më të gjata si Arka e Vjetër, Pika e Zezë, Nën maskën e mysafirëve, Peshorja, Imazhi i shtëpisë së vjetër etj. ku sidomos dialogu përligj dramacitet të arrirë.
Po e mbyll këtë shkrim me një mendim të Anton Nikë Berishës të shprehur në parathënien “Tregime të rrafshit të ngritur poetik”, që i prin kësaj përmbledhjeje, i cili përligj vlerat e saj e të Sabit Rrustemit si prozator cilësor: “Tregimet e përfshira në këtëvepër (Mëkati që (s’)e bëmë)dëshmojnë, pos të tjerash, për disa çështje kryesore: ai (shkrimtari) u qaset dukurive të botës së jashtme dhe të botës së brendshme në mënyrë sa të mëvetësishme, aq dhe të natyrshme e të ndërliqshme; shtjellimi i tekstit është i menduar dhe i konceptuar mirëfilli; të shprehurit figurativ po ashtu; gjuha që përdor është e pasur; fjalia e rrjedhshme… Rrëfimi i tij përligj natyrën dhe ritmin e asaj që ndodh në shpirtin e tij, shqetësimet dhe brengat, edhe kur dëshmohet ballafaqimi i ashpër ose kundërshtimi dhe kundërvënia e skajshme (kontrasti): pësimet, gërryerja e themeleve të kullës (njeriu ynë si vetërrënues), lëkundjet shpirtërore, pasiguria, frika, dhembja, vuajtja etj.” (f. 10 – 11).