Mendimet publike janë PËR dhe KUNDËR.
Shkruan: Gani NEZIRI
Unë që rrjedhë nga një familje myslimane nga nëna dhe babai këtë fakt e shoh si fatkeqësi kombëtare dhe assesi si pasuri.
Pavarësisht faktit se edhe brenda një familje kemi prezentë tri besimet.
Në Kosovë kemi shumë raste ku në një familje njëri vëlla mbanë besimin mysliman, kurse tjetri mbanë besimin katolik. Ndërsa në Shqipëri ndodhë që gruaja e njërit vëlla të jetë ortodokse. Pra, në një familje tri besime. E gjitha kjo në harmoni të plotë dhe pa probleme të theksuara fetare asnjëherë.
Rilindësit tanë paskan thënë: “kem tre fe, por një atdhe”. Dakord! Mirëpo, nuk përfundon e tëra këtu. Sepse, kur dalim nga vorbulli familjarë e kombëtarë ndryshojnë arsyet e rrethanat.
Shembull: Në një luftë të mundshme (që do të ndodhë së shpejti) ndërmjet Turqisë dhe Greqisë për ujdhesat në detin Egje unë do të mbajë anën e Turqisë. Dhe për më tepër, unë jam i gatshëm edhe të vishem si ushtar në luftë kundër Greqisë!
Arsyeja e parë është se jam mysliman si ata, arsyeja e dytë është se Turqia bombardoi Serbinë si pjesë e NATO-s për çështjen e Kosovës, (nuk mund askush ta mohoj këtë fakt), arsyeja e tretë është se Turqia ka njohur shtetësinë e Kosovës ndër të parat shtete…, arsyeja e pestë është se Greqia është aleate historike e Serbisë dhe për dallim nga Turqia ende nuk po e njeh shtetësinë e Kosovës… Pastaj, mund të jenë edhe një varg arsyesh të tjera.
Pra, absolutisht më pëlqen të shkoj në luftë kundër Greqisë!
Mirëpo, çka do të ndodhë në këtë rast me vëllezërit tanë të besimit ortodoks në jugun e Shqipërisë?!
Të ndikuar nga fanatizmi i tyre fetar ata kanë krijuar shoqatën “Vëllazëria ortodokse shqiptare” që në publikimet e tyre vjellin “xeher” kundër Turqisë. Kundër “vëllezërve tanë” myslimanë . Ata padyshim se do të mbajnë anën greke, sepse i lidhë feja ortodokse me Greqinë, pikërisht ashtu si më lidhë mua myslimanizmi me Turqinë.
E çka do të thotë kjo tani?!
Unë si mysliman luftoj për turkun, ndërsa vëllai im shqiptar i besimit ortodoks nga jugu i Shqipërisë lufton për grekun!
Që të dy do të jemi në frontin e parë të luftës dhe do vrasim njëri-tjetrin. Njëri me qëllimin që të fitoi Turqia, tjetri me qëllimin që të fitoi Greqia!
Tani po u pyes juve fanatikëve fetarë të të dyja ngjyrave; a është pasuri kombëtare që ne shqiptarët kemi tre fe?!