Kosova e mposhti me rikthim 2:1 Çekinë të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, falë golave nga Vedat Muriqi dhe Mërgim Vojvoda, pasi Patrick Schick i kishte kaluar vizitorët në epërsi në fillim të takimit.
Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy, e ka pranuar se skuadra e tij nuk ka pasur përgjigje e as alternativa për ta ndalur sulmuesin më në formë të Kosovës, Vedat Muriqin.
“Për më tepër, sulmuesi Muriqi ishte i pandalshëm, nuk dinim çfarë të bënim me të. Kundërshtari luajti me entuziazëm dhe me përkrahje të tifozëve. Ata prisnin gabimet tona, të cilat kanë mundur t’i shfrytëzonin falë lojtarëve të shpejtë”, tha Silhavy.
Përveç, golit të barazimit, sulmuesi i Fenerbahçes Muriqi luftoi me shpirt gjatë gjithë takimit, duke fituar topa të shumtë dhe duke e dominuar mbrojtjen mysafire.