Të enjten në mbrëmje do të zhvillohet ndeshja vendimtare e grupit A eliminator për Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’ mes Republikës së Çekisë dhe Kosovës.
Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy në një konferencë për shtyp është ankuar në mes të tjerash për kohën e paktë për t’u përgatitur.
“Përgatitjet janë më të shkurta se zakonisht. Kemi më pak kohë për gjëra taktike. Kemi vetëm edhe pak kohë, pasi që nesër do të stërvitemi në terrenin ku do të zhvillohet ndeshja,” ka thënë fillimisht Silhavy.
Në këtë ndeshje, Çekisë do t’i mungojë futbollisti kryesor Patrick Schick. Futbollisti i RB Leipzig nuk është lejuar t’i bashkohet Çekisë për këto dy ndeshje shkaku i një lëndimi, por Silhavy sheh shpresë te Libor Kozak dhe Martin Dolezal.
“Të dy mund të shënojnë, por Dolezal na përshtatet më shumë. Ai është më i lëvizshëm dhe mund të krijojë hapësira tepër të mëdha në lojë pa top,” ka shtuar trajneri çek.
Me fillim nga ora 20:45, në ‘Doosan Arena’, çekët janë nikoqirë të Kosovës në kuadër të grupit A, ku Çekia renditet në vendin e dytë me 12 pikë, një më shumë se Kosova e cila zë vendin e tretë me 11 pikë.
Nuk ka dyshim se presionin më të madh e kanë çekët në këtë ndeshje, të cilët shihen edhe favoritë para Kosovës.