Tottenhami i Jose Mourinho është duke u përgatitur për t’ia bërë një ofertë zyrtare sulmuesit kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqi, sipas mediave turke.
Javën e kaluar, mediat britanike raportuan se trajneri i ri Jose Mourinho është në kërkim të një opsioni të dytë për pozitën e qendërsulmuesit, ku luan Harry Kane. Skuadra e Tottenhamit e ka pasur këtë mungesë që kur Fernando Llorente u transferua në Napoli gjatë verës.
Mourinho thuhet se është tifoz i adoleshentit Troy Parrott, mirëpo duket se drejtuesit e Tottenahmit preferojnë ta transferojnë dikë me më shumë përvojë.
Dhe mediumi turk ‘Milliyet’ pretendon se londinezët e kanë identifikuar Muriqin si opsionin e përsosur.
I njëjti medium turk raporton se Tottenhami është tanimë duke e përgatitur një ofertë zyrtare për 25-vjeçarin, që pritej ta bëjë gjatë ditëve të ardhshme.