Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka ka pritur në një takim pune Drejtorin e Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Bujanoc Nexhat Behlulin si dhe shefin e kabinetit të kryetarit, Arbër Pajazitin.
Takimi i cili u zhvillua në Tiranë më 21 janar të këtij viti kishte si qëllim bashkëpunimin e kësaj Dhome me komunën e Bujanocit, ndërsa nga të dyja palët është përshëndetur mbledhja e dy qeverive shqiptare në Prizren, ku është ardh në përfundim se vendimet e marra nga kryeministri Rama e Thaçi do të kenë inpakte pozitivë edhe në komunë të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës, raporton Titulli.
Nikolin Jaka, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, mysafirët nga Bujanoci i ka siguruar se institucioni të cilin ai drejton por edhe qeveria shqiptare, do të angazhohet për të ndihmuar këtë pjesë, duke njohur tani vështirësitë e dyfishta që ka ky rajon, si ato politike njashtu edhe ekonomike.
Me këtë rast të dyja palët janë dakorduar që në muajt prill – maj 2014-të në Tiranë të organizohet një forum i dytë me biznese nga fusha e agro-bujqësisë së komunave nga Lugina me bizneset e Tiranës, në mënyrë që të shihet mundësia e thithjes së investimeve të huaja.
Me këtë rast përfaqësuesi nga komuna e Bujanocit, Nexhat Behluli, paraqiti vërejtjet për mungesën e bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës në Luginë, sidomos të bizneseve bujqësore.
“Duhet një bashkëpunim më i mirë mes dy palëve në mënyrë që të tërheqim në Bujanoc dhe Preshevë biznese të huaja”, tha gjatë takimit Behluli.
Një nga propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ishte futja e kompanive shqiptare, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e këtyre zonave në Jug të Serbisë.