Ndeshjen e parë të stinorit pranver në Superligën e Kosovës në futboll, FC Drita e zhvillon të dielën si mysafire e skuadrës KF Trepça ’89, e timonieri i Dritës, Arsim Thaqi, referuar fazës përgatitore, beson në rezultat pozitiv.
Për më tepër, kryetrajneri i skuadrës bardhë e kaltër, Arsim Thaqi shton se fitorja në këtë nismë stinori, do të ishte motiv edhe për ndeshjet e ardhshme.
“Faza përgatitore shkoi jashtëzakonisht mirë ku pasqyrë e gjithë asaj ishin edhe ndeshjet miqësore që i zhvilluam para ndeshjes së nesërme zyrtare. Për këtë shpresojmë që gjithë angazhimin tonë në përgatitje ta kthejmë në rezultate pozitive. Në këtë drejtim kemi marrë të gjitha masat dhe presim asgjë tjetër përveç rezultateve. I njoh shumicën e lojtarëve të cilët kanë cilësinë e mjaftueshme për ta arritur objektivin e klubit dhe ne kemi punuar që aty ku ka nevojë të ndërhyjmë dhe përmirësojmë lojën tonë”, ka thënë Thaqi.
Ai ka falënderuar futbollistët që iu kanë përgjigj detyrave të tia, filozofisë së tij ë lojës gjatë fazës përgatitore dhe shpreson që puna dhe angazhimi i tyre të shpërblehet me fitore nesër, e cila kishte me qenë motiv edhe për ndeshjet e ardhshme.
Trajneri Arsim Thaqi foli edhe për ambiciet e klubit dhe angazhimin e tij në krye të shtabit teknik të DRITËS.
“Ambiciet dihen. Ideja është të vazhdojmë me punë që ta mbajmë primatin deri në fund. Për çdo trajner është privilegj dhe përgjegjësi të jesh pjesë e Dritës, sepse dihen ambiciet e klubit dhe jemi bashkërisht të angazhuar në çdo aspekt që ta kurorëzojmë me titullin kampion”, ka thënë trajneri i Dritës.
Thaqi ka thënë tutje se Drita e ka dëshmuar veten edhe në arenën ndërkombëtare, nuk u mungon asgjë dhe mbetet vetëm të japin maksimumin në fushë që t’i gëzohen suksesit dhe arritjes së objektivit te klubit, qytetit dhe tifozëve. /2LONLINE/