Kryetari Rahimaj nënshkruan memorandum me ministrin Çeku për stadiumin e Hogoshtit.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka pritur në takim Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun. Në këtë takim kryetari Rahimaj së bashku me ministrin Çeku kanë nënshkruar memorandum për ndërtimin e stadiumit të ri në Hogosht.
I pari i komunës ka thënë se vlera e memorandumit është 1.6 milion euro, dhe se sipas tij do të jetë një nga stadiumet më karakteristike në Kosovë.
“Tifozë, a jeni gati për të brohoritur? 1.6 milionë euro është vlera e memorandumit që e kemi nënshkruar për stadiumin e ri të Hogoshtit, bashkë me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çekun. Një ëndërr e bërë realitet, për këtë komunitet që jeton për futbollin”, ka thënë kryetari Rahimaj.
Sipas tij, ky stadium do të jetë një nga stadiumet më karakteristike në Kosovë për faktin se rrethohet me male shumë të bukura dhe peisazh të mrekullueshëm, duke krijuar kështu një ambient fantastik për sportistët e shikuesit.
“Ju ftojmë të rrini të gatshëm për projektin e rradhës, i cili do të jetë senzacion për tërë Kosovën”, ka thënë kryetari Rahimaj. /2LONLINE/