Jo rastësisht ky redaktim përmban një titull të tillë. I gjason kryekëput autorit dhe ndjeshmërisë së tij të madhe e zhgënjyese që ka për zhvillimet në atdheun e tij.
Shkruan: Qendresa Sadrijaj
Libri Thirrje nga Shpirti, i ngjan një heraldike të lartë, udhërrëfyese e kuptimplote, i shkon përshtati rrëfimeve të Sokratit në sheshin e Athinës, përbuzjeve të athinasve ndaj rrëfimeve të tij ndërkaq në fund ngulitjes e mbështetjes në tezat e tij që konsiderohen më të fuqishmet në kompleksitetin e filozofëve dhe teoricienëve.
Për ti bërë një analizë të detajuar dhe kuptimplote librit në fjalë është gogja sfidë, njëherit edhe zgjuarsi e kthjelltësi mendore, për faktin se autori është një kritikues kalibri e kjo e bën librin shumë të vecantë dhë atraktiv në llojin dhe cilësinë e vet.
Libri i dytë Thirrje nga Shpirti, është një vagon i shkëputur për të vazhduar dhe bashkëngjitur librit të parë Njohja e Vonuar. Kjo përmbledhje në vete tërheq gjithsej 105 opinione të ngërthyera me kritikë, rekomandime, mllef e skandale të përditshmërisë sonë Kosovare.
Për më tepër libri mund të lexohet me një këndvështrim analitik nga tri aspekte e që e bëjnë të vecantë, kreativ dhe po aq artistik për krijimtarinë e z. Zeqa.
Aspekti i parë është narracioni i autorit. Përgjatë tërë shtrirjes intelektuale të autorit në librin e tij, shihet dhe theksohet fakti i narracionit real dhe mjaft kritik. Në secilin artikull apo opinion autori rrëfen dhe kritikon nga veta e parë, pa iu frikësuar aspak paragjykimeve të kohës e atyrë ndaj të cilëve pa asnjë dilemë a variacion ua drejton fuqishëm kritikat dhe të metat që duhet përmirësuar. Me një mjeshtëri artisti analitik, din të manipulojë me gjuhën kritikuese dhe artistike në të njëjtën kohë duke shpërfaqur kapacitetin e tij studiues e të njohurive shumë- përfshirëse.
Mes tjerash Zeqa në një fragment nga shkrimi me titull “Zotëri Kryeministër mos i harroni premtimet”, shprehet: “ Edhe pse për LDK-në dhe zotin Mustafa kjo ishte humbja e tretë radhazi,…lideri i LDK-së, në vend të mbajtjes së premtimit të dhënë para elektoratit dhe qytetarëve të vendit, i mbylli sytë dhe futi veshët në lesh, duke vazhduar me lojëra politike për arritjen e qëllimëve personale,…thuajse qytetarët e këtij vendi nuk e ndjejnë aktin moral ose vlejnë më pak se një post politik, më pak se një interes personal i tij.”
Është e qartë se interesimi i tij për zhvillimet në Kosovë është preokupim dhe ndjenjë e fuqishmë dashurie e përkëdhelie që ka ndaj atdheut, saqë nuk le hapësirë për qortim të devijimit të ndonjë fakti të rëndësishëm që e karakterizon çdo ngjarje me rëndësi në vend. Guximi për të konfrontuar të bëmat e politikanëve dhe pazaret që bëjnë me Kosovën, nga këndvështrimi i një mërgimtari autori i përpin si të tilla pa hezituar që troq ta thotë atë që mendon dhe ndjen, pa marrë parasysh çmimin që mund ta paguajë, pasiqë për deklarata të karakterit orientues individual siç shihet në citimin e njërit nga fragmentet kërkon trimëri intelektuale, individuale dhe atdhetare. Pse them kështu, pasi jemi mësuar me shkrimet dhe antagonizmat e montuar të gazetarëve, publicistëve dhe analistëve tonë që të përshtatin kritika e këndvështrime për qef të klasës politike për aq sa kur tu vije mundësia u mvishen realizimit të interesave të tyre për karrigë ose jetë më të mirë monetare. Autori për asnjë moment nuk nënshtron karakterin e tij kritikues e vlerësues ndaj ngjarjeve në Kosovë, aq më tepër i jep nam imperialiteti fuqisë së tij krijuese të përditshme.
Libri është i veçantë dhe shumë glamuroz në përmbajtjen e tij kur sheh sa shumë dashuri për atdheun përmban. Zotëri Zeqa në secilën fjalë, fjali e paragraf është e pamundur të mos dhurojë dashuri burrërore e artistike në aspektin e një analisti fuqishëm të pathyer ndaj nivelit të narracionit të pastër dhe gogja etnik shqiptar.
Ai e çmon secilin gjest a manifestim që bëjnë mërgimtarët për të shpërfaqur nëpër botë kalibrat dhe kualitetet që ka dhuruar Kosova përmes bijave dhe bijëve të saj. Kushtimit edhe pse i “ plasë zemra” për kulaqin që i gatuan shtresa politike me afera të ndyra Kosovës, ai nuk dorëzohet dhe frymëzohet kur sheh se kemi kuadro që e duan dhe e prezantojnë vendlindjen të bukur e të dëlirë ashtu edhe siç në realitet është po të mos ngulfatej nga veprime gërryese të politikanëve tonë.
Mes tjerash në shkrimin e tij “ Agnesa, shqipja që kërkon kthimin në folenë e të parëve të saj”, aq bukur shprehet ku thotë: “Agnesa edhe pse e lindur në Gjermani, e flet bukur dhe rrjedhshëm gjuhën shqipe, falë mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Landau,…punës së palodhshme të mësueses Mirvete Ahmeti- Ismajli dhe edukatës së shëndoshë dhe në frymën kombëtare të familjes së saj me tradita të lashta patriotike.
Agnesa krahas mësimeve merret edhe me aktivitete të lira pranë grupit artistik të shkollës shqipe në Landau. Përpos vallëzimit në grup dhe kendimit, asaj më tepër i pëlqejnë recitimet në formë monologu,…poemat plotë dashuri dhe mallëngjim për atdheun e prindërve dhe gjyshërve të saj.”
Ky citat e përfaqëson tërësisht autorin së bashku me dëshirat e tij, kryeneqësinë dhe kualitetin shpirtëror të tijë. Shfaqet aq i pastër, aq bujar e dashamirës për çdo njeri që ka prejardhje nga Kosova, e konsideron vëlla, nënë, motër, baba etj. Është i përvëluar që të përhap sa më shumë ndjenja dhe emocione tradicionale të pashkëputshme e të pathyera për Kosovën e tij demokratike siç e quan shpesh nëpër shkrimet e tij.
Libri Thirrje nga Shpirti, tërheq vagonë e vagonë, çështjes e britmash shpirti me përplot mlleg, emocion e katandisje të autorit në pamundësi të kontributit real e veprimeve të dobishme që ai i thekson nëpër shkrimet e tij. Ai asnjëherë nuk heq dorë nga synimet e pastërta dhe dobi- prurëse për Kosovën ndonëse për udhëheqjen kosovare dhe praktikisht edhe lexues të shkrimeve të vetë autorit janë një absurd i mbështjellur në “ folje alumini” që nuk lejon shpërthim dhe realizim. Territori mendor i autorit ka shume kilometra Kosovë dhe vetëm Kosovë, që në trikun e një shkrimtari a publicistik ka peshë floriri.
Preokupimet e tij duke filluar nga premtimet dhe mashtrimet që bëjnë politikanët, varfëria në Kosovë, LDK-ja e cila është shndërruar në rrjetë mërimange, FARK-u, e shumë çështje të tjera e bëjnë autorin hero të shkrimeve të tij në stilin dhe metamorfizimin analitik që ai bën përgjatë secilit rresht e librit në tërësi poashtu.
Karakteristika e tretë e që konsiderohet dhe është më e fuqishmja e këtij libri përveç shumë cilësive që e formojnë është gjuha e bukur dhe e pastër shqipe që përdor autori. Është fakt i hidhur dhe trend i sotëm fatkeq njëkohësisht asimilues i mërgimatërëve tonë, defektet gjuhësore dhe asimilimi gjuhësor. Në tërësinë e librit të këti autori nuk arrin të gjesh së paku një fjalë të shtrembëruar në gjuhë tjetër, kjo është vlerë e ruajtur me fanatizëm nga autori të cilën paralelisht e kultivon në mënyrë të kompletuar së bashku me dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut qoftë përmes kontributit kulturor, qoftë si analist i përditshëm me opinione dhe publicistikë. Ai i shkrimet e tij i kombinon me rregulla gramatikore e drejtshkrimore konform gjuhës standarde dhe fjalorit të gjuhës shqipe. I përshtat artistikisht si mozaik i këndshëm leximi, shprehjet e vjetra apo fjalët e urta popullore me realitetin e sherreve të ditëve “ lulëzuese” të atdheut të tij.
Një kulturë të tillë e që mund të thuhet lirisht kulturë e artë, e vërejmë në shkrimin “Kurrgjë s’është Luli, çka është Fuli!”, ku ndër të tjera pohon: “E nisa kështu me këtë titull të pazakont, që ka të bëjë më tregimin rreth Lulit dhe Fulit, dy fëmijëve binjak që i ngjanin shumë njëri-tjetrit, të bukur e simpatik, po aq edhe problematik. Në një lagje të fshatit ku i kishin dajët Luli e Fuli, në një mëngjes takohen dy pleq të fshatit, pas përshendetjes së zakont me njëri-tjetrin, njëri nga pleqt i mllefosur fillonë bisedën me bashkohanikun e tij duke i treguar për sjelljet e pahijshme të nipit të fshatit, Lulit i cili me veprimet e tij kishte tërhjekur vemëndjen e të gjithëve,… pa mbaruar mirë fjalën plaku i parë, e merr fjalën tjetri; ahi, kurgja nuk është Luli, çka është Fuli, nuk lenë gjë pa ba, pos që i ngacmonë fëmijët e tjerë në fshat, nuk lenë bahqe, pemë e përime pa prishë! Kështu njëri e herë tjetri shkuan bukur gjatë me bisedën rreth Lulit e Fulit, derisa atyre në bisedë ju bashkangjiten edhe fqinjët e tjerë të befasuar me sjelljet adoleshente të nipave të fshatit të tyre. Ky tregim le të shërbejë si anekdodë për drejtuesit e LDK-së, që vendosen të hyjnë në koalicion sa të panatyrshëm po aq të dëmshëm për të ardhmën e kësaj partie me “vllëzërit binjak” të PDK-së. Ashtu si vëllau i madhë i tyre-PDK (Luli), edhe këta të NISMA-s (Fuli) janë rival të moqëm, për të mos thënë armiq të përbetuar të Rugovës dhe filozofis së tij politike. Përderisa partneri tjetër në koalicion AAK-ja, urrejtjen e dikurshme ndaj Rugove tashmë e ka kthyer në dashuri interesi me LDK-në”.
Nga vetë citati, theksohet prirja e autorit për të metaforizuar veprimet me meselet e vjetra të popullit në mënyrë që të jetë sa më krahasues e i kuptueshëm për lexuesin dhe “vajtuesit” tjerë të realiteti të hidhur të Kosovës.
Ky libër është një arë e madhe në të cilën është i fshehur thesari më i çmuar për autorin nga Kosova, është një publicistikë e llojit të vet dhe trimërisë së veçuar me edukatë të pasur artistike. Brendia e tij (librit), është një labirint temash e ngjarjesh që të japin komoditet për të krijuar vizione të qarta dhe afirmative për vendin dhe të ardhmen e tij.
Me tri apo katër faqe nuk mund të përshkruhet e as pasqyrohet një vlerë libri me peshë sa ky që do ta keni në duar e që mbetet vetëm ti bashkangjiteni mendimit tim nga këndvështrimi i redaktores për aq sa do të jeni fatlum ta lexoni dhe përjetoni secilin shkrim që përmban.
Autorit i dëshirojmë suksese, jetë pa probleme e të qetë, meqë u çaset temave që janë thumb për ata që u dedikohen.
Redaktori/a: Qendresa Sadrijaj