Disa fjalë rreth përhapjes eventuale zingjirore të krizave politike në Ballkanin Perëndimor

Disa fjalë rreth përhapjes eventuale zingjirore të krizave politike në Ballkanin Perëndimor

Harta e mëposhtme është harta e Republika Srpska-s në kuadër të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe nëse shikohet me kujdes kjo hartë atëherë mund të arrihet lehtë te përfundimi se ky entitet i serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës e ka të pamundur të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina pa pëlqimin e entitetit tjetër të shtetit, të cilin e përbëjnë boshnjakët dhe kroatët.

Me një fjalë është pothuajse e gjykuar që përfundimisht të mbetet në kuadër të Bosnjës dhe Hercegovinës për shkak të shtrirjes së saj gjeografike në kuadër të këtij shteti.

 

Shkruan: Arsim Kastrati

Këtë e përmendi para disa ditëve një ekspert slloven në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë duke konstatuar që situata e Republika Srpska-s nuk mund të ndikohet shumë nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve serbo-kosovare në kuadër të dialogut e Brukselit.

Ndërkaq një pikë tejet problematike në Ballkanin Perëndimorë tash e një kohë është edhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë me problemet e saj ndëretnike dhe me kontestin e saj rreth emrit me Greqinë fqinje, të cilat probleme kanë bërë që ky shtet për një kohë të gjatë të gjendet në një situatë politike të paqartë ekzistenciale dhe në “stand bay” për shpërthim.

Dhe në fakt shumëçka në Ballkanin Perëndimor varet nga referendumi në Maqedoni dhe reagimi opozitar në Greqi rreth marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, të nënshkruar në mes kryeministrave të dy vendeve pak kohë më parë.

Nëse si rezultat i të gjitha këtyre zhvillimeve pozitive, Maqedonia anëtarësohet në NATO sikur që edhe i është premtuar, atëherë unë mendoj, se sovraniteti politik dhe integriteti territorial i këtij shteti do të garantohet njësoj sikur se për Malin e Zi që tashmë është anëtar i NATO-s; ndërsa problemet e shqiptarëve në këtë shtet do të duhej të kishin një prognozë të mirë për shkak të numrit të madh të tyre dhe për shkak të përkrahjes politike të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Shikuar nga kjo perspektivë e zhvillimeve politike në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund të parashikohet se këto shtete nuk do të kërcënohen nga zhvillimet politike në Republikën e Kosovës dhe nga mënyra e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike ndërmjet asaj dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit.

E sa për vet Kosovën gjithçka do të shkojë më mirë në rast se politikanët e saj i ulin shtizat që i kanë drejtuar kah njëri tjetri, e dëgjojnë mirë njëri tjetrin dhe merren vesh mes veti, në mënyrë që t’i ikin rreziqeve por edhe t’i shfrytëzojnë shanset eventuale.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE