Grupi i qytetarëve shqiptarë që jetojnë në komunën e Medvegjës ka dërguar një letër të hapur opinionit publik në të cilën ata u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë, partive politike, mediave, organizatave joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare, që me forcën e tyre të bëjnë çdo gjë për të ndaluar një terror administrativ shumëvjeçar si dhe përpjekjet për spastrim etnik në këtë komunë në jug të Serbisë.
Arsyeja për këtë thirrje publike është praktika gjithnjë e më e shpeshtë që ju bëhet qytetarëve shqiptarë, të cilët në mënyrë të paligjshme dhe diskriminuese pengohen në ushtrimin e një sërë të drejtash të garantuara me kushtetutë. Kjo bëhet duke u lëshuar vendime për “pasivizim të vendbanimit” nga organet e stacionit lokal të policisë. Sipas të dhënave zyrtare të MPB-së së Serbisë në komunën e Medvegjës në dy vitet e fundit vendime për pasivizim të vendbanimit u janë lëshuar mbi 500 rasteve (sipas regjistrimit të vitit 2011 kjo komunë ka pasur rreth 7440 banorë) dhe pothuajse ekskluzivisht vetëm për qytetarët e kombësisë shqiptare, që i bie të jetë rezultat i përpjekjeve direkte dhe të fshehta të administratës dhe shërbimeve të sigurisë lokale për të ndryshuar strukturën etnike të popullatës në këtë hapësirë. Këtë thirrje të qytetarëve të Medvegjës do ta paraqesim në tërësinë e saj.
Të nderuar,
Po ju shkruajmë lidhur me disa të dhëna alarmante që MPB e Serbisë kohë më parë i ka dorëzuar një organizate joqeveritare. Këto të dhëna tregojnë që vetëm në dy vitet e fundit në komunën e Medvegjës, në më shumë se 500 raste qytetarëve të kombësisë shqiptare u është marrë vendbanimi përmes të ashtuquajturës vendim për “pasivizim të vendbanimit”. Në këtë pikë, posaçërisht janë shqetësuese informatat nga terreni që tregojnë se në muajt e fundit shqiptarëve nga Medvegja u janë bërë qindra telefonata, me qëllim që të kontaktojnë stacionin e policisë lokale për të kryer biseda informative të një natyre të panjohur (nuk janë dhënë arsyet në formë zyrtare).
Ndërkohë, zyrtarët e policisë lokale kanë vazhduar veprimet e tyre të paligjshme, diskriminuese dhe arbitrare. Kështu është fut praktika që për shqiptarët që duan të marrin dokumente personale fillimisht të paguajnë të gjitha taksat e nevojshme për lëshimin e dokumenteve të identifikimit që më pastaj t’iu mohohet kjo e drejtë me arsyetimin se në ndërkohë kanë humbur të drejtën e vendbanimit. Pas gjithë kësaj paratë e paguara nuk u janë kthyer më!
Në shumicën e rasteve, të ashtuquajturat vendime për pasivizim të vendbanimit, oficerët e stacionit policor në Medvegjë i kanë marrë në bazë të “kontrolleve në terren”, e cila reflektohet në vizitat e paparalajmëruara nga policia në shtëpitë e banorëve të kombësisë shqiptare. Kjo praktikë ka çuar në qëndrimin se, u konfiskohen të gjitha vendbanimet qytetarëve që nuk gjindeshin në adresat e tyre në momentin kur zbatuesit e ligjit i kanë vizituar. Kjo gjë bënë që qytetarëve u imponohet një lloj qëndrimi në kushte të arrestit shtëpiak, duke mos pasur një jetë normale dhe duke ua ndaluar të kryejnë detyrat e përditshme siç janë punët në terren (duke pasë parasysh që këto janë zona rurale), madje edhe ua pamundëson mungesat e përkohshme dhe legjitime (si p.sh. trajtimet mjekësore, punët biznesore dhe udhëtimet turistike). Me procedurat e tilla qytetarëve të kombësisë shqiptare u mohohet e drejtat themelore si ajo e njeriut dhe e drejta qytetare si dhe e drejta në dokumentet personale dhe lirinë e lëvizjes që është e garantuar me Kushtetutë.
Posaçërisht në këtë drejtim është rasti i trajtimit brutal i Zeqir Sinanit (78 vjeç) nga fshati Tupallë, komuna e Medvegjës, i cili ka kryer vetëvrasje pasi që në mënyrë arbitrare policia lokale padrejtësisht ia ka konfiskuar shtetësinë serbe, dhe me këtë rast edhe të drejtën për një pension të cilin e ka marrë në Serbi! Rreth presioneve të shumta që janë të ekspozuar shqiptarët në Medvegjë vazhdimisht ka qenë e informuar edhe Zyra e Avokatit të Popullit Sasha Jankoviq, i cili me këtë rast nuk kishte reguar duke justifikuar mosveprimin e tij me arsyet burokratike dhe formale.
Me anë të kësaj në veçanti dua të theksoj se ngjarjet e mësipërme ndodhin në një mjedis etnikisht të përzier dhe se përmes presioneve administrative kërkohet ndryshimi i strukturës etnike të popullatës, gjë që është bërë në mënyrë të konsiderueshme në vitin 1999, kur një numër i madh i familjeve të kombësisë shqiptarë fillimisht është dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre për tu fshirë mëpastaj nga regjistri i qytetarëve të Republikës së Serbisë. Në vend se një dekadë e gjysmë pas ndryshimeve demokratike problemi i qytetarëve të fshirë të kombësisë shqiptare më në fund të fillojë të zgjidhet, prapëseprap shqiptarët e mbetur janë ballafaquar me presione të vazhdueshme administrative, të cilat haptazi na dërgojnë mesazhin se ne në Serbi jemi qytetarë të padëshiruar të dorës së dytë.
Paralelisht me presionet administrative, banorët e fshatrave shqiptare përreth Medvegje, për vite të tëra përballen me ngacmime të vazhdueshme dhe të panevojshme nga ana e policisë lokale, si dhe me grabitjen e paturpshme të pronave private në veçanti pyjeve, që ndodhin gjatë ditës para syve të forcave të mëdha policore që operojnë në këto hapësira.
Një pjesë të madhe të përgjegjësisë për fatkeqësitë që u kanë ndodhur shqiptarëve në Medvegjë e mbajnë edhe strukturat e korruptuara politike nga radhët e Partive shqiptare (PVD- ja e Riza Halimit), të cilat qe 12 vjet më parë marrin pjesë në qeverisjen lokale duke paraqitur interesat personale dhe interesat e tyre partiake mbi interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Në sistemin e sundimit të paligjshmërisë dhe korrupsionit në këto hapësira, qytetarët shqiptarë janë bërë viktima të diskriminimit të fshehtë dhe të spastrimit etnik larg opinionit publik. Ky diskriminim zhvillohet në shekullin e 21 në një vend i cili është kandidat për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Pra për të gjitha këto, nëpërmes kësaj thirrje ftojmë të gjitha organet përkatëse shtetërore të Republikës së Serbisë, organizatat ndërkombëtare dhe ato jo-qeveritare, mediat, partitë politike dhe të gjithë aktorët politikë dhe socialë për të ngritur zërin e tyre kundër shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë dhe konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave dhe të bëjnë gjithçka çka është në fuqinë e tyre që praktika të tilla sa më shpejt të jetë e mundur të pushojnë së ekzistuari, dhe padrejtësia e bërë deri më tani të zhbëhet.
Në emër të qytetarëve të Medvegjës,
Haki Emini