Ditën e sotme u nënshkrua Memorandimi i Mirëkuptimit për themelimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje në Komunën e Kamenicës.
Mekanizmi pëbëhet nga përfaqësues të gjykatës dhe prokurorisë, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, Agjensisë për Ndihmë Juridike Falas, Qendrës për Punë Sociale, Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe strehimores për viktimat e dhunës në familje.
Përmes tij synohet një trajtim më i drejtë i rasteve të dhunës në familje për të përmirësuar parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen, trajtimin dhe riintegrimin e viktimave, përmes rritjes së bashkëpunimit ndër-institucional dhe bashkërendimit të aktiviteteve të këtyre akterëve.
Së bashku me Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në ceremoninë e themelimit morën pjesë edhe Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala dhe Zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl. Kjo nismë u realizua me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. /2LONLINE/