Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.
Presidenti Thaçi është shprehur i nderuar që ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të kësaj konference, 140 vjet pas Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, të organizuar nga dy akademitë e shkencave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
“Është koha që shkencëtarët ta studiojnë dhe vlerësojnë jo vetëm rilindjen tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, por të gjitha periudhat e historisë shqiptare me objektivitet shkencor të dijes bashkëkohore. Historia, e vërteta është një, e pakorrigjueshme, ndërsa historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën dhe të korrigjohet nga ndikimi ideologjik, censura dhe format e tjera”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se dy akademitë tona, 140 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, mund të veprojnë në kushte shumë më të volitshme se në të gjitha kohët deri më tash, sepse më nuk ka as diktaturë, as robëri.
“Lidhja e Prizrenit ishte veprim dhe rezultat i situatës së re gjeopolitike që solli kriza lindore. Me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, shumica e trojeve shqiptare, edhe ashtu të ndara në disa vilajete, u jepeshin shteteve fqinje. Ndërsa, në Kongresin e Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha vendosnin pa e përfillur vullnetin e popullit shqiptar, ishte thelluar padrejtësia historike, me marrjen e vendimeve për implementimin e këtij copëtimi. Kështu, shqiptarët kërcënoheshin nga tri rreziqe: shpërbërja territoriale, asimilimi dhe zhdukja fizike”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se në këtë situatë të re, shqiptarët nuk ndenjën duarkryq.
I pari i vendit theksoi se më 10 qershor 1878, përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare në Prizren krijuan organizatën me karakter politik, ushtarak dhe ekzekutiv, që do t’i kundërvihej synimit të copëtimit të tokave shqiptare me të gjitha mjetet.
“Lidhja e Prizrenit është organizata më e rëndësishme politike dhe ushtarake e popullit shqiptar, e krijuar katër shekuj pas qëndresës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kryengritjet e shumta, memorandumet drejtuar kancelarive të Fuqive të Mëdha, protestat dhe forma tjera të qëndresës e karakterizuan periudhën e Lidhjes së Prizrenit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sipas presidentit Thaçi, në rrafshin e brendshëm është produkt i lëvizjes kulturore, i Rilindjes Kombëtare.
Derisa në Jug të Shqipërisë po krijohej ndërgjegjja kulturore, pra nacionalizmi kulturor, presidenti Thaçi thesoi se në viset e veriut, ballafaqimi i përditshëm me aspiratat aneksuese të fqinjëve po krijonte vetëdijen shtetërore, nacionalizmin politik.
“Rilindësit shqiptarë ishin personalitete që me idealizëm të rrallë, në kushtet kur në tokat shqiptare nuk kishte asnjë institucion kulturor dhe arsimor, vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare, duke tejkaluar ndarjet krahinore dhe fetare”, pohoi presidenti Thaçi.
Ai shtoi se Rilindja Kombëtare krijoi vetëdijen për identitetin e kombëtar shqiptar, të bazuar mbi vlerat e përbashkëta të gjuhës, kulturës, traditave dhe të njësisë territoriale.
“Për këtë kontribut iluminist dhe intelektual, si gjithmonë, edhe sot i jemi mirënjohës asaj plejade mendjendritur që punoi me aq përkushtim patriotik. I jemi mirënjohës shumë e shumë penave tjera që kultivuan letërsinë, hartuan traktatet politike, zhvilluan gjuhën shqipe, themeluan klube e revista kulturore, përqafuan alfabetin latin dhe vlerat e qytetërimit evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.
Krahas figurave kulturore, ai theksoi se nuk ka si të mos i vlerësojmë lart personalitetet qendrore të Lidhjes së Prizrenit, ideologun e saj, Abdyl Frashërin, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ymer Prizrenin, Komandantin e Ushtrisë së Lidhjes së Prizrenit, Sulejman Vokshin dhe shumë e shumë patriotë të tjerë, që me mençuri dhe vizion reaguan përballë rreziqeve që cenonin ekzistencën fizike të popullit tonë.
“Me veprimet e veta, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tërhoqi vëmendjen e diplomatëve dhe konsujve të huaj, duke dëshmuar se shqiptarët po mobilizonin forca dhe nuk lejonin implementimin e marrëveshjeve të pa drejta ndërkombëtare që copëtonin hapësirat e tyre etnike. Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit e shekullit 19, rrumbullakoi vetëm pjesërisht idealet e shqiptarëve në fillim të shekullit 20, me krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në zhvillimet dramatike gjatë Luftës së Parë Ballkanike, presidenti Thaçi ka thënë se ndodhi paradoksi historik dhe territori shqiptar që më së shumti kishte kontribuar për bërjen e Shqipërisë, Kosova, por edhe viset e tjera shqiptare, mbetën padrejtësisht jashtë Shqipërisë.
“Me gjithë fatin tragjik, Kosova e ruajti esencën dhe bërthamën e saj kombëtare. Gratë dhe burrat që u angazhuan në procesin e pavarësisë së Shqipërisë, vazhduan me të njëjtin idealizëm rezistencën për çlirimin e Kosovës, duke dhënë jetën për ëndrrën dhe idealin e lirisë si Hasan Prishtina, Shotë Galica, Azem Bejta dhe të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se pas një shekull sundimi nga të gjitha regjimet dhe administrimet e Beogradit, Kosova më në fund arriti ta krijojë organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake në historinë e kombit shqiptar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Vizioni i saj properëndimor bëri që të gjejë mbështetje te bota demokratike, tek SHBA-të, shtetet e BE-së dhe NATO. Për herë të parë në histori shqiptarët qenë pjesëmarrës, folën dhe vendosën në interesin e tyre në Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje dhe Paris më 1999”, shtoi presidenti Thaçi.
I pari i vendit theksoi se në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shoqëria shqiptare është në pozicionin më të mirë historik.
Presidenti Thaçi pohoi se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në BE, kurse shteti i Kosovës është konsoliduar si shtet, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe tani në fokus ka objektivin e tretë, atë të integrimeve euroatlantike.