Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar Betejën e Koshares. Ai përmes një postimi në profilin e tij ka thënë se Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, se së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre.
Postimi i tij:
Beteja e Koshares, 21 vjet më parë, ishte vetëm faza e parë e operacionit “Shigjeta”. Kjo betejë e lavdishme rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, duke bërë që për herë të parë të thyhej me forcë kufiri ndarës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ku ushtria serbe pësoi disfatë të madhe.
Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, se së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Ndërsa, thyerja e kufirit ishte mesazh se furnizimi me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshëm edhe në atë kohë.
Nderime përjetë të gjithë dëshmorëve të kësaj beteje të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. HTH