”Kosova gjithmonë do të jetë vend i pavarur në truallin e Evropës, me perspektivë të qartë integruese në familjen Euro-Atlantike”, theksoi kryeministri Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Fjalimi i plotë i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
Është kënaqësi e veçantë t’ju adresohem sot në seancën e fundi të këtij viti dhe të prezantoj progresin afirmativ në Republikën e Kosovës gjatë tre muajve të fundit, në veçanti rreth mbajtjes së Zgjedhjeve të para Lokale në tërë territorin e Republikës, procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe rezulatet e fundit në Dialogun për Normalizimin e Relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Më lejoni që në fillim të shpreh mirënjohjet e sinqerta Sekretarit të Përgjithshëm Z. Ban Ki Moon për mbështetjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe përparim në Kosovë dhe rajon.
Ndërsa po i ofrohemi përfundimit të këtij viti, para se të ndajë pikëpamjet e mia mbi zhvillimet e lartpërmendura, do të doja të theksoj se 2013 ishte një vit historik për rajonin, kryesisht për dy arsye madhore:
• Më 1 Korrik, Bashkimi Evropian pranoi Kroacinë si shtet anëtar i 28 duke bërë këtë vend model inspirimi për të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, si dhe:
• Arritja e Marrëveshjes së parë ndër-shtetërore për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e fasilituar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Baronesha Ashton;
Marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në pjesën e parë të këtij viti, është dëshmia më e mirë e fuqisë transformuese që ka Bashkimi Evropian kundrejt shteteve që duan të integrohen në BE.
BE-ja mbetet e vetmja alternativë, dhe e vetmja shpresë për qytetarët e kësaj pjese të Evropës.
I nderuar z. President,
Mbi këtë frymë evropiane, më 3 Nëntor Republika e Kosovës bazuar në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës organizoi për herë të parë në tërë territorin e saj Zgjedhjet Lokale për Kryetar Komunash dhe Asambletë Komunale – të cilat u bënë moment frymëzimi për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Me një dalje masive që kaloi 50% të atyre me të drejtë vote, në 38 komunat e vendit, ky proces demokratik dhe shprehjes së vullnetit të qytetarëve rezultoi në mënyrë paqësore dhe të lirë duke bërë të mundur që qytetarët të zgjedhin liderët komunal legjitim në të gjithë Kosovën, ndersa për herë të parë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 edhe në 4 komunat e veriut të Kosovës, përkatësisht Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Me këtë rast, dua të falënderoj Komisionin Qendror Zgjedhor dhe OSBE-në për fasilitimin teknik të këtyre zgjedhjeve ne veri të vendit, si dhe Misionin Vëzhgues Elektoral të BE-së i cili u angazhua fuqishëm për të monitoruar dhe vëzhguar këtë proces.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë shumë e përkushtuar të ketë një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, si dhe një pjesëmarrje sa më masive të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 Nëntorit, të cilat u vlerësuan lartë nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe pa dyshim janë një moment i rëndësishëm për pjekurinë e shtetësisë së Kosovës, dhe konsolidimin e brendshëm institucional të sistemit kushtetues dhe politik, duke përmbushur të gjitha kërkesat e dalura nga Pakoja e Presidentit Ahtisaari.
Ky moment ka vulosur dhe mbyllur të gjitha tendencat eventuale për ndarje territoriale të Kosovës, apo federalizim të saj mbi baza etnike.
Kështu, këto zgjedhje janë një fitore e qytetarëve, e të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kemi dhënë shembullin më të mirë se Kosova është vend demokratik dhe se procesi zgjedhor është mbajtur në frymën dhe kulturën politike të lartë.
Kam bindjen që ky sukses do të përsëritet edhe më 1 Dhjetor për 24 komuna të cilat do të organizohet balotazhi për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Në pjesën më të madhe të Kosovës, dita e zgjedhjeve ka kaluar në mënyrë të qetë dhe paqësore.
Vetëm në Mitrovicën e veriut në tri vend votime ka pasur incidente të izoluara të organizuara nga grupe ekstremiste serbe gjatë ditës së zgjedhjeve.
Ato ishin sulme të orkestruara dhe organizuara ndaj të drejtës themelore të qytetarëve.
Parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në këto vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit, është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cenon rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Megjithatë, fakti që qytetarët kanë dalë për të votuar është përgjigja më e mirë se bojkoti ka dështuar – duke mos pranuar të jenë peng-politik i grupeve ekstremiste dhe nacionaliste dhe anarkisë së imponuar nga struktura ilegale dhe paralele të policisë.
Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor – si institucion i pavarur, për të përsëritur zgjedhjet vetëm në Mitrovicë e Veriut më 17 Nëntor është përshëndetur dhe pranuar nga të gjithë akterët politik.
Rivotimi ndodhi me datë 17 nëntor, pra të dielën dhe gjithë procesi kaloi pa ndonjë problem.
Rëndësia e Zgjedhjeve të 3 Nëntorit ka qenë test i drejtpërdrejtë i rezultatit të Dialogut ndër-shtetëror mes
Kosovës dhe Serbisë, si dhe legjitimim i përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse bazuar në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, ku komunat si njësia e vetme themelore e vetëqeverisjes lokale janë legjitime dhe funksionale.
Shpreh bindjen e Qeverise time se kjo pikë-kthese përshpejton kualitetin e relacioneve ndëretnike në Kosovë si dhe përshpejton ecjen e Kosovës në rrugën e integrimeve evropian.
Zgjedhjet e 3 Nëntorit dhe pranimi i rezultatit legjitim janë, po ashtu, parakusht për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të Kosovës, si rezultat i Marrëveshjes së 19 Prillit në Bruksel.
Megjithatë, asociacioni që do të themelohet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe sipas modelit të njejtë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk do të ketë rol ekzekutiv, e as ligjvënës.
Pra, nuk mund të jetë zëvendësim për kuvendet komunale dhe përgjegjësitë e komunave nuk mund të barten tek ky asociacion.
Askush nuk mund të zëvendësojë apo relativizojë fuqinë e drejtpërdrejtë të votës së lirë të qytetarëve të Kosovës.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Në vijim të fjalës sime dua t’ju informoj për progresin tonë në raport me integrimin në Bashkimin Evropian.
Më 16 Tetor kemi pranuar nga Komisioni Evropian Raportin e Progresit për Kosovën, duke afirmuar progresin e agjendës evropiane si dhe sfidat të cilat na presin në vijim.
Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, si dhe vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi
Ne i kemi konsideruar të gjitha këto rekomandime të dala nga Raporti i Progresit me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe institucionale, dhe jemi të angazhuara maksimalisht për të punuar në përmbushjen e këtyre kritereve.
“Në kontekstin e dialogut për liberalizimin e vizave, Kosova ka ndryshuar dhe ka miratuar një legjislacion të rëndësishëm, përfshirë këtu ligjin për azil, ligjin për financim të partive politike dhe ligjin kundër trafikimit me qenie njerëzore.”
Raporti i progresit specifikon edhe kriteret ekonomike që Kosova duhet të përmbushë, përmes së cili konfirmohet se “Kosova ka lëvizur drejt krijimit të një ekonomie funksionale të tregut”.
Prandaj, ndihem krenar se të gjitha këto zhvillime pozitive të identifikuara në Raportin e Progresit të BE-së janë fryt i punës së palodhshme të institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur këtë agjendë ambicioze.
Në këtë aspekt, Republika e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shënuar edhe një datë historike.
Pas vendimit të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për nënshkrimin e MSA-se, më 28 Tetor është konkretizuar ky vendim përmes fillimit të raundit të pare të negociatave mes BE-së dhe Kosovës.
Fillimi i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit hap një kapitull të ri për Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe është një proces modernizimi i vendit dhe shoqërisë.
MSA-ja është themel i marrëdhënieve tona me BE-në dhe hap i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE.
MSA-ja është e vetmja formë dhe mënyrë e cila mundëson anëtarësimin në BE.
Vetëm shtetet me perspektivë të anëtarësimit mund të lidhin Marrëveshjen Stabilizim Asociimi me BE-në.
Nisja e negociatave për MSA-në ka vendosur Kosovën në procesin formal dhe zyrtar drejt anëtarësimin në BE.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të përmbyllin me sukses negociatat për MSA deri në pranverën e vitit të ardhshëm me qëllim të hapjes së rrugës së procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Agjenda evropiane është prioritet i Republikës së Kosovës që i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet, shoqërinë civile, është reflektim i një dëshire dhe vullneti të të gjithë qytetarëve te Kosovës.
Po ashtu, Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit mes Kosovës dhe BE-së ka vazhduar së funksionuari dhe paraqet një zotim afatgjatë në mes të BE-së dhe Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit.
Ky dialog mes Brukselit dhe Prishtinës fokusohet në gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
I nderuar z. President,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Gjatë periudhës raportuese si dhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Shtator, Republika e Kosovës është njohur edhe nga 4 shtete të reja anëtare të OKB-së, përkatësisht nga El-Salvadori, Grenada, Tailanda dhe Libia, duke rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare në 104, apo mbi gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe njëherë këto shtete për marrjen e vendimit për njohjen formale të Republikës së Kosovës.
Ky proces i pandalshëm është dëshmuar të jetë i bazuar në zhvillimet afirmative që Kosova ka prodhuar në vazhdimësi, sidomos gjatë këtij viti.
Ne presim që ky numër të rritet edhe më tutje në të gjitha kontinentet e botës, prandaj nga kjo foltore e cila më ka dhënë gjithmonë kënaqësinë e të përfaqësuarit të një kauze të drejtë, i u bëjë thirrje edhe vendeve tjera, të njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Njohjet e fundit dëshmojnë se ky proces ka një shtrirje globale dhe të merituar duke konsoliduar edhe më tutje pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës – si realitet gjeo-politik dhe juridik.
Ndërveprimi jonë është avancuar edhe në rrafshin multilateral, përmes së cilit synojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të japim kontributin tonë të politikës së jashtme në ndërtimin e paqes dhe sigurisë.
Po ashtu, Republika e Kosovës është përforcuar në indekset ndërkombëtare.
Për periudhën raportuese, më duhet të ju rikujtoj se Banka Botërore në raportin e saj kredibil “Të Bërit Biznes” 2014, e ka ranguar Kosovën në pozitën e 86 nga 189 vende të botës në lehtësinë e të bërit biznes duke vlerësuar kështu pozitivisht ndryshimet dinamike dhe lehtësimet e bëra në ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Në dy vitet e fundit, Kosova në përgjithësi është ngritur për 40 pozita në ranglistë.
Për herë të parë që kur është përfshirë në Raportin e “Të Bërit Biznes” është shpallur si një ndër TOP 5 nga 10 Vendet Reformatore në botë, duke bërë më së shumti përparim në 3 apo më shumë indikatorë të cilët maten nga Raporti “Të Bërit Biznes” të Bankës Botërore.
I nderuar z. President,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 2 shtator 2013, ka vendosur se procedura e ndjekur për miratimin e ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
E njëjta Gjykatë më 3 shtator 2013, ka vendosur po ashtu se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit për Amnisti, është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në këtë vazhdë më 2 shtator 2013, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si të papranueshme kërkesën e një grupi deputetësh për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës ku parashihet fondi për veriun, rrjedhimisht ky ligj konsiderohet si i plotë.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese tregojnë se demokracia në Kosovë është funksionale, dhe ato forcojnë mëtej kohezionin politik të Kosovës përballë marrëveshjeve që ka arritur me Serbinë, duke treguar se shoqëria kosovare është thellësisht e përkushtuar për të ecur përpara në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Po ashtu, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se Policia e Kosovës ka marrë përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen e vendeve historike dhe fetare serbe nga KFOR-i.
Deri më sot, vetëm Manastiri i Deçanit mbetet nën mbrojtjen e KFOR-it.
Mbrojtja e Patriarkanës se Pejës u transferua nga KFOR-i tek Policia e Kosovës së fundi në muajin gusht.
Po ashtu, formimi i Komisionit 7 anëtarësh për Këshillin e Mbrojtjes së Trashëgimisë në Prizren–sic kërkohet nga Ligji për Mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit është kompletuar me 24 Shtator.
Kuadri ligjor i Kosovës vazhdon të garantoj përfaqësimin e pakicave në te gjitha sferat e shoqërisë Kosovare.
Kosova mbështet të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve, dhe mbron interesat jetike dhe të drejtat kulturore, duke përfshirë edhe ato të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë model edhe për vendet tjera në rajon.
Në këtë frymë, promovimi i dialogut dhe bashkëjetesa ndër-fetare është shëndrruar në një prioritet afat-gjatë: më 17 Shtator në qytetin e Pejës është organizuar një ndër konferencat më të mëdha ndërkombëtare me pjesëmarrës nga përfaqësuesit e komunitetit Islamik, Ortodoks Serb, Katolik, Protestant, Evangjelist dhe Hebre.
Ngjarje të tilla kredibile do të pasojnë edhe në të ardhmen.
Pas miratimit të ligjit për transmetuesin publik, një kanal televiziv në gjuhën serbe (Radio Televizioni i Kosovës 2) u licencua.
RTK2 filloi transmetimet në qershor dhe nga gushti është plotësisht operacional dhe paraqet një medium të rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, i mirëpritur nga tërë shoqëria Kosovare.
Tashmë çdo familje ka qasje në këtë medium, dhe si i tillë është bërë referencë e rëndësishme e informimit dhe promovimit të interesave të komunitetit serb.
Vlen të përmendet se situata e sigurisë është mirëmbajtur e qetë pothuajse në pjesë më të madhe të territorit të Republikës së Kosovës, megjithatë, më 19 Shtator një pjesëtar i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është vrarë në veri të vendit.
Doganieri lituanez, u qëllua me armë zjarri në makinën e misionit evropian me të cilat po udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij drejt vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë.
Vrasja e doganierit nga Lituania është ngjarja më e rëndë që prej fillimit të misionit dhe vjen në kohën kur BE-ja është angazhuar fort në normalizimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti në veri të Kosovës ku Serbia ende i ka të shtrira strukturat e saj.
Dhuna kundër trupave të EULEX-it cenon rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, një vrasje e tillë është sulm edhe kundër prestarëve të EULEX-it është sulm i drejtpërdrejtë kundër Bashkimit Evropian.
Ne nuk dëshirojnë të paragjykojnë rezultatin e hetimeve, por motivet e vrasjes së doganierit lituanez janë të ndërlidhura me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe me perpjekjet e grupeve ekstremiste në veri të vendit për ta penguar ketë proces.
Qeveria e Kosovës vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it e ka vlerësuar si sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës.
Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur të vazhdojë t’i kryejë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, e sidomos në pjesën veriore te vendit.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Zbatimi i Marrëveshjeve të arritura në Bruksel me ndihmën e Bashkimit Evropian në kuadër të Dialogut me Serbinë, ka pasur zhvillime pozitive, por edhe ngecje serioze në dinamikën e implementimit.
Vlen të theksohet se përpjekjet tona si dy vende sovrane dhe fqinjë, gjatë periudhës raportuese, kanë konkluduar edhe një sërë marrëveshjesh të reja, siç është Marrëveshja për Telekomunikacion dhe Energjetikë.
Pas shumë përpjekjeve të mëdha, Kosova, si rezultat i marrëveshjes për telekomunikacionin, më në fund do ta fitojë edhe një atribut tjetër shumë të rëndësishëm të munguar të shtetësisë së saj.
Pra, Kosova do të ketë kodin e vet unik telefonik, që do t’i jepet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve.
Përfundimisht kjo nënkupton vendosjen e ligjshmërisë dhe rregullimit dhe në praktikë kjo nënkupton që operatorët tjerë të Serbisë duhet të ndërpresin operimet dhe ofrimin e shërbimeve të paautorizuara – të cilët deri më tani kanë dëmtuar shumë buxhetin e Kosovës.
Përveç marrëveshjes për telekomunikacionin, ne kemi arritur edhe marrëveshjen tjetër, shumë të rëndësishme, atë për energjinë. Marrëveshja për energjinë përfundimisht i jep fund ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës.
Sukses është arritur edhe në konsolidimin e sistemit doganor, përkatësisht vjeljen e taksave dhe tatimeve në 2 pikë-kalime kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore, përmes Doganave të Republikës së Kosovës duke filluar që nga 14 Dhjetori i këtij viti.
Këto të hyra do të destinohen për Fondin për Zhvillim të komunave veriore bazuar në kornizën juridike dhe doganore të Kosovës.
Ne mbesim të përkushtuar që Dialogu me Serbinë të vazhdoj edhe në vitin 2014, përmes hapjes së çështjeve të reja të cilat janë të rëndësishme për fqinjësinë e mirë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve.
I nderuar z. President,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Për fund, dua të ripërsërisë se të gjitha institucionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë luajtur një rol vendimtar dhe kanë qenë të përfshira në shtet-ndërtimin e Kosovës, përkatësisht të procesit të shpalljes së Pavarësisë me Pakon e Ahtisaarit si produkt i negociuar i OKB-së, dhe konfirmimit të Pavarësisë së saj me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi në Korrik 2010.
Republika e Kosovës është mirënjohëse për këtë kontribut kolosal duke qenë një ndër storjet më të suksesshme në historinë e OKB-së, megjithatë duhet të ripërsërisë qëndrimin se është koha për këtë Këshill të ketë në konsideratë transformimin e misionit të UNMIK-ut në një zyrë të politike të OKB, i cili do të koordinonte të gjitha agjencitë e OKB-së, fondet dhe programet, deri sa mbështet rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB dhe përmbushjen efektive të detyrimeve të konventave.
Gjithashtu, dua të informoj anëtarët e Këshillit të Sigurimit se tashmë kemi filluar procesin e transforimimit të Misionit të EULEX-it, i cili do të bëhet në koordinim të plotë me shtetet anëtare të BE-së dhe ligjet e Kosovës.
Kosova gjithmonë do të jetë vend i pavarur në truallin e Evropës, me perspektivë të qartë integruese në familjen Euro-Atlantike.
Kosova, tashmë e ka zënë vendin e saj të meritur në mesin e kombeve të lira të botës dhe është shndërruar në një shtet evropian, i cili në mënyrë dinjitoze kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.