Ish-drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me të cilat e ka ngarkuar kjo gjykatë.
“I hedh poshtë të gjitha akuzat”, ka thënë Thaçi.
“Akuza është krejt e paqëndrueshme, jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.
Avokati: Joe Biden e ka quajtur Thaçin Georg Uashingtoni i Kosovës
Në Hagë, avokati i Hashim Thaçit ka thënë se personin që Gjykata Speciale po e akuzon për krime lufte, presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur “George Uashingtoni i Kosovës”
Avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi në seancën e parë dëgjimore ndaj tij, Hooper, është përplasur me gjyqtarin e procedurës paraprake.
Për klientin e tij, që Tribunali i Hagës është duke e akuzuar për krime lufte, Hooper e ka cituar Bidenin.
“Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, tash president i zgjedhur i ShBA-së, e ka quajtur z. Thaçin Georg Uashingtonin e Kosovës”, ka thënë Hooper.
Avokati i Thaçit ka kritikuar punën e Speciales
David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ka kritikuar punën e Gjykatës Speciale, raporton “Epoka e re”.
Në fjalën e tij, ai ka thënë se procesi është realizuar pa e njoftuar në kohën e duhur mbrojtjen.
Hooper ka shtuar se do të bashkëpunojë me gjykatën njëjtë siç ka bërë edhe Thaçi.
“Gjykata po heton këto çështje më shumë se 5 vjet kurse aktakuza është bërë para 6 muajve. Nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtëse, nuk ishte e mundur që të silleshin këtu njerëz që do të duhej. Është e vështirë të kuptohet pse kjo është bërë në këtë mënyrë”, ka thënë Hooper.
Avokati i Thaçit e pyet prokurorin: Ku është aktakuza për trafikim të organeve
David Hooper, akovat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pyetur Prokurorinë e Specializuar dhe gjykatësin e procedurës paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.
“Ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, sepse këto ishin shumë të rëndësishme për lindjen e kësaj gjykate”, ka pyetur Hooper.
Ai ka bërë me dije se do të kërkojë nga Gjykata Speciale që ta lirojnë përkohësisht Hashim Thaçin.
Avokati i Thaçit përplaset me gjykatësin e Speciales: Pse s’ka simbole të Kosovës këtu?
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit është përplasur në Gjykatën Speciale me gjykatësin Nicolas Guillou lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë.
Replikat kanë nisur kur David Hooper e ka ngritur çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.
“Jo vetëm që është njollë për Kosovën dhe kosovarët… Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova. Nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Ndoshta mund t’i kushtohet vëmendja kësaj. Nëse është Gjykatë e Kosovës, mund të kishim këtu shqiponjën e zezë me të kuqe”, ka thënë avokati.
Në replikë, gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur avokatin se pse ai s’ka veshur rroba të kuqe.
“Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, ka thënë Guillou duke qeshur.