Kreu i Qeverisë Hashim Thaçi ka treguar se e ka dërguar në Kuvend projektligjin për Veteranët. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook.
”E procedova në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Veteranët e UÇK në Qeverinë e Kosovës, të aprovuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.
Me këtë ligj përcaktohen të drejtat në benificione për veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre.
Veteranët e UÇK-së ndahet në këto kategori:Veteran invalid i luftës së UÇK-së, Veteran luftëtar i UÇK-së, Veteran i internuar i UÇK-së, Veteran ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së,Veteran pjesëtar i UÇK-së,Veteran Pjesëmarrës i luftës së UÇK-së,” ka shkruar Thaçi.
”Veteranit luftëtar i UÇK-së, përmes njohjes së të drejtës në pension dhe benificione të ndryshme, i sigurohet mbështetje financiare dhe benefite të caktuara për kontributin e dhënë në luftën e UÇK-së.
Veterani luftëtar realizon pensionin personal, shtesa në pensionin e pleqërisë si dhe pensionin e trashëgimtarëve, pas vdekjes së veteranit. Në kuadër të benefiteve hyn edhe e drejta në shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta e riaftësimit profesional dhe lehtësira të tjera, si: e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim, përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollimin publik, vendosja në shtëpitë e personave të moshuar, mbulimi i shpenzimeve të varrimit etj” ,ka shtuar Thaçi në Facebook.