Kronologjia e fatkeqësive natyrore në trojet shqiptare daton nga antikiteti dhe është evidentuar nga autorët antikë.
Nga: Fadil Kajtazi
Një ndër të parat është evidentuar nga autori Atheneu, i cili jetoi rreth vitit 200 të e. sonë. Ai në përmbledhjen “ Gostia e dijetarëve”, në Librin VIII, përmend një fatkeqësi të rrallë natyrore që përfshiu Dardaninë.
Sipas tij, “Heraklidi, nga Lembo, në librin 21 të Historisë thotë së perëndia prej qielli hodhi në Paioni dhe Dardani bretkosa. Sasia e tyre ishte aq e madhe sa u mbushën shtëpitë dhe rrugët plot” (Ilirët dhe Iliria te autorët antik, faq.285)
Gjithashtu, Marcelin Komes, me prejardhje nga Iliriku, bashkëkohës i Justinianit (483- 565) në përmbledhjen e tij “Kronika”, përmend një ngjarje fatkeqësi natyrore–tërmet e cila sipas tij ka ndodhur me vitin 518.
Për këtë ngjarje ai thotë: “Nga tërmetet e vazhdueshme, në provincën dardane, menjëherë u shkatërruan njëzet e katër kështjella. Dy nga këto u fundosën së bashku me banorët, katër u shkatërruan, duke humbur gjysmën e banesave dhe të banorëve, trembëdhjetë nga fatkeqësia humbën një të tretën e shtëpive dhe po aq nga popullsia; shtatë u shkatërruan duke humbur një të katërtën e shtëpive dhe po aq nga popullsia, kurse kështjellat fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit. U shkatërruan krejtësisht edhe qyteti kryesor Skupi, megjithëse pa humbjen e qytetarëve të tij, të cilët ikën para armikut.
Nga ky tërmet u çanë shumë male nga e gjithë provinca, shkëmbinj u shkëputën nga masivët e tyre dhe trupat e pemëve u gremisën poshtë. Në një largësi prej tridhjetë miljesh toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash, dhe u përgatit kështu një hendek i thellë ku ranë shumë nga qytetarët e kështjellave, të cilët vazhdonin të iknin nga shkëmbinjtë që rrokulliseshin ose nga sulmet e armiqve. Atëherë në një kështjellë të krahinës Gavisa, e cila quhet Sarnonti, toka nxori prej shtresave të saja të përvëluara si prej në furre të nxehtë, nxori një curril të ngrohët dhe vazhdueshëm uji”. (po aty faq. 452)
Si duket nga ky përshkrim, depërtimi me lehtësi i sllavëve në trojet iliro-dardane, në shekujt në vazhdim, është pasojë e shkatërrimit të përmasave të mëdha që shkaktoi ky tërmet.