Opozita nuk do të heq dorë nga seanca e jashtëzakonshme

Opozita nuk do të heq dorë nga seanca e jashtëzakonshme

Seanca e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e ftuar nga opozita ka dështuar në mungesë të kuorumit. Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, pas konstatimit nga sekretaria e Kuvendit se në sallë janë të pranishëm 16 këshilltarë, ndërsa 19 mungojnë, konstatoi se seanca nuk mund mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.

Kjo seancë ishte thirrur me iniciativë të 15 këshilltarëve të PDK, Vetëvendosje, Vatra dhe këshilltarëve të pavarur, për të diskutuar për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, i cili është planifikuar të jetë në pjesën e Zabelit.

Pas kësaj, opozita ka mbajtur konferencë me gazetarë në sallën e Kuvendit, ku kanë folur Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (Vetëvendosje), Festa Shabani (PSD), Mimoza Kadriu (Nisma) dhe Ibish Ibishi (këshilltar i pavarur).

Riza Abdyli ka thënë se anëtarët e Kuvendit, të bllokut opozitar kishin bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, mirëpo siç u pa partia në pushtet, LDK-ja, bashkë me disa anëtar të subjekteve të koalicionit, që Abdyli i quajti “argatë të partisë në pushtet”, nuk morën pjesë, duke pamundësuar që të kishte kuorum, transmeton 2LONLINE.

Por, Abdyli tha se do të insistojnë që kjo seancë të mbahet patjetër në ditët e ardhshme, sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, siç është lokacioni për varreza. Ai tha se do të mblidhen sërish nënshkrimet dhe do të kërkohet prapë seancë e jashtëzakonshme në ditët në vazhdim.

Abdyli tha se nuk pajtohet me qëndrimin e atyre që sot munguan sepse ata po e vendosin në një gjendje jo të mirë Kuvendin Komunal, ndërkohë që opozita asnjëherë nuk ka qenë për ta bllokuar punën e KK-së.

“Kemi ra në kundërshtim shpesh edhe me subjektet tona politike, por ne, si anëtarë të KK-së nuk kemi dashtë asnjëherë të jemi bllokues të punës së këtij kuvendi, por kemi qenë opozitë konstruktive. Por, pas këtij momenti më nuk e marr përgjegjësinë që të jemi të tillë. Do të jemi një opozitë më ndryshe, më agresive, sepse ne ishim bashkëpunues, por sot u pa çfarë bëri pozita”, tha Abdyli, transmeton 2LONLINE.

Ndërsa, Nevzad Isufi tha se edhe me atë që ndodhi sot u pa se në Kuvend ka anëtarë që janë shndërruar në makinë votuese dhe vetëm se kur i duhen qeverisë lokale i përdor dhe dirigjohen në forma të ndryshme.

“Është e paimagjinueshme se të gjithë anëtarë e kuvendit nga pozita (LDK) e ata që janë nga koalicioni me pozitën, të mos kenë pas mundësi të vijnë sot në kuvend dhe për ketë nuk pat asnjë arsyetim’, thotë ai.

Në anën tjetër, shtoi Isufi, për këtë çështje komuna po merr veprime ilegale, pa e konsultuar asnjë organ zyrtar, pa vendim të Kuvendit, pa debat qytetarë, pa i pyetur banorët e lagjeve ku atje pretendohet të bëhet një varrezë, pa e pasur një plan pune, pa pasur projekt, që do të duhej të merrte vizën në Kuvend e pastaj të realizohej, transmeton 2LONLINE.

Ndërsa, Festa Shabani tha se këtu po flet në dy cilësi edhe si anëtare e Kuvendit, por edhe si banore e zonës (Zabeli), që preket nga ky projekt i pamenduar mirë nga Komuna e Gjilanit.

Ajo tha se punimet veçse kanë filluar jashtëligjshëm, duke mos u njoftuar as banorët e asaj pjese. “Peticioni ka filluar me banorët e asaj pjese të cilët kundërshtojnë fuqishëm këtë projekt. Unë si anëtare kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me opozitën për të kundërshtuar këtë projekt që bëhet në një lokacioni shumë të papërshtatshëm, derisa ka lokacione tjera shumë më të përshtatshme”, tha ajo, transmeton 2LONLINE.

Mimoza Kadriu nga Nisma ka thënë se edhe ajo bashkë me bllokun opozitarë janë bashkë për ta kundërshtuar këtë projekt që e konsideron se nuk përbën zgjidhje etike dhe afatgjate.

Ajo shtoi se lokacioni ku është menduar të jenë varrezat nuk është se do të bëjë një zgjidhje për shumë vite. “Për pak vite do të mbushet ajo pjesë që është pjesë e mirë e qytetit ku kemi lokacionin me pisha, por i cili do të rrethohet nga varrezat e do të humbte kuptimin e ndonjë parku që do të pëlqehej nga qytetarët”, thotë Kadriu.

Ibish Ibishi, nga ana e tij tha mbron qëndrimin e opozitës për këtë çështje dhe se, sipas tij, të gjitha çështjet që janë në dobi të qytetarëve duhet të diskutohen në Kuvend dhe as udhëheqësia komunale dhe askush tjetër nuk duhet t’i ikë debatit.

“Pajtohem me kolegët pranë meje që dhanë arsyet e tyre për këtë çështje, por nuk pajtohem me pushtetin komunal, as me anëtarët e Kuvendit që munguan sot për arsye se në kuvend duhet të merren vendime që janë në interes qytetar”, tha Ibishi, transmeton 2LONLINE.

KOMENTE