(2LONLINE) – Mbi 120 të rinj të Gjilanit i kanë vënë themelin organizmit rinor “NISMA Rinore për Kosovën”, Dega në Gjilan duke thënë se këtij vendi i nevojitet ndryshimi dhe ky ndryshim do të ndodh me të rinjtë, ky ndryshim i domosdoshëm për Kosovën do të ndodhë me “Nisma për Kosovën”.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe kreu i “NISMA Rinore për Kosovën”, Kreshnik Cukaj, u tha se “NISMA”, u ka dhënë hapësirë veprimi të rinjve të cilët janë harruar nga partitë tjera e të cilat parti i kujtojnë ata vetëm në kohë zgjedhjesh.
Duke thënë se aktualisht të rinjtë janë pa perspektivë dhe në mungesë të kësaj perspektive edhe po e lëshojnë Kosovën, të rinjtë e “NISMA-s janë shprehur se kjo politikë duhet të ndryshojë dhe ndryshimi duhet të ndodh tash sa nuk është bërë vonë. Ky ndryshim, sipas tyre, do të ndodh nga vet të rinjtë dhe me subjektin politik “Nisma për Kosovën”
Ata i kanë ftuar gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e ndryshimit të madh që po vjen në Kosovë së bashku me NISMA”, së bashku me Fatmir Limaj e Jakup Krasniqin.
E të rinjve iu është drejtuar edhe Bajram Hasani, kryetar i “NISMA për Kosovën “, Dega në Gjilan, duke thënë se rinia në të gjitha periudhat kohore kur vendi kishte nevojë ka qenë në krye të detyrës
Hasani tha se rinia ka qenë e udhëhequr nga Ideali I fuqishëm dhe I pashtershëm për lirinë kombëtare, mirëpo ky Ideal I I fuqishëm I rinisë bartë me vete edhe ëndrrat dhe dëshirën e madhe për demokraci , arsimim, zhvillim ekonomik , zhvillim kulturorë e sportive , social dhe zhvillime të tjera shoqërore.
Ai tha se përkundër të gjithë kësaj gatishmërie të rinisë për ta dhënë gjithë at potencial intelektual dhe energji pozitive , për t’i shtyer proceset përpara , është e domosdoshme ti jepet hapësirë e merituar rinisë, se në të kundërtën mbeten vetëm ëndrra dhe dëshira të parealizuar, siç edhe po ndodhë.
“Sot edhe pas 15 viteve në liri , ne në Kosovë ende nuk kemi arritur një zhvillim të qëndrueshëm shoqëroro – ekonomik , dhe kjo e dëshmon qartë se rinia ka mbet krejtësisht e margjinalizuar nga rrjedhat shoqërore, e pashpresë dhe në kërkim të tokës së premtuar . Për këtë gjendje të mjerë e të pashpresë për juve rininë dhe mbarë popullin e Kosovës , nuk mundë të jetë faji jetim , fajtorët po i shohim të gjithë ne dhe këta janë lidershipi I subjekteve politike me strukturat e tyre udhëheqëse , të cilët na kanë udhëhequr dhe na udhëheqin edhe sot që 15 vite”, ka thënë Hasani.
Kreu i “Nisma për Kosovën”, Dega në Gjilan tha se këto subjekte politike në vazhdimësi thirren në rininë , mirëpo përfaqësimi I saj në zhvillimet demokratike qoftë brenda partive apo edhe brenda institucioneve qendrore apo komunale është krejtësisht I vogël përkundër potencialit dhe numrit të madh në popullatë që ka rinia.
“A nuk është cinizëm ekstrem , qëndrimi I partive politike karshi juve rinisë , e që keni sakrifikua gjithçka , për ditët që sot I gëzojnë të gjithë, por jo njësoj. Por, gjithmonë ekziston fati në fatkeqësi dhe më në fund për fatin e mirë tuajin dhe popullit tonë, në skenën politike Kosovare lindi një grupacion I ri politikë e kjo është“NISMA për Kosovën”me liderin e saj Fatmir Limaj”, është shprehur Hasani.
Ai tha se sot është një ditë e veçantë për “NISMA për Kosovën” Dega në Gjilan që po e themelon Këshillin inicues për të rinjtë e NISMA-s, me ktë rast u shpreh falënderuar për të gjithë ata që aderuan pasi kanë bërë përzgjedhjen e duhur, po mbështesin alternativën e ndryshimit, frymën e re “NISMA për Kosovën”.
“Ju rinia e Gjilanit , e cila jeni e etur për të dhënë tërë potencialin profesional , për të ndërtua dhe zhvilluar Kosovën dhe Komunën tuaj që shumë e keni për zemër , Ejani dhe bashkohuni me Nisma për Kosovën , sepse këtu do të keni mundësinë të shijoni dhe zhvilloni demokracinë e brendshme politike , që në subjektet tjera ju mungon . Në “Nisma për Kosovën” do të keni rasti të përfaqësoheni denjësisht në forumet vendimmarrëse dhe nesër kurë do të qeverisim me institucionet qendrore dhe komunale”, ka thënë Hasani.
Duke e deshifruar në mënyrën e tij shkronjë për shkronje fjalën “NISMA”, kreu i “NISMA-s për Kosovën ” Dega në Gjilan , Bajram Hasani ka ftuar të rinjtë gjilanas që ti bashkohen këtij subjekti pasi , siç u shpreh ai, në projektin e tyre, në “NISMA për Kosovën” do të gjejnë:
N – Nderë
I – Integritet
S – Siguri
M – Mirëqenie dhe Moral
A – Arsimim për të gjithë