Ramiz Azizi, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan ka thënë se edhe në këtë gjashtëmujor të këtij viti gjykatat përkatëse kanë pasur prioritet lëndët e korrupsionit.
“Gjykata Themelore në Gjilan i ka dhënë një prioritet të madh zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit, ku gjatë këtyre gjashtë muajve në punë kemi pasur 20 lëndë të kësaj natyre, kemi pranuar 14 lëndë të reja, do të thotë gjithsejtë 34 lëndë, mirëpo janë arritur të zgjidhen 12 lëndë, që do të thotë kanë mbetur 22 lëndë në punë”, ka thënë Azizi, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, për këto lëndë janë shqiptuar këto aktgjykime: 3 Aktgjykime me dënim burgim, 1 Aktgjykim dënim me gjobë, 2 Aktgjykime dënim me kusht, 5 Aktgjykime liruese dhe 1 Aktgjykim refuzues.
Nga këto statistika shihet se gjysma janë aktgjykime liruese/refuzuese, por edhe dënime me gjobë e kusht, duke lënë vetëm tri aktgjykime me dënim burgimi.
Derisa kohë më parë, kreu i Gjykatës Themelore, lidhur me numrin më të madh të aktgjykimeve liruese, u pat treguar kritik i hapur ndaj prokurorisë, që siç ishte shprehur, “nuk po ofrojnë prova bindëse për rastet e korrupsionit”, ai sot u rezervua në këtë drejtim, por pranoi se kritikat e tija të hapura e të sinqerta, bërë kohë më parë, nuk ishin “pritur mirë” nga prokuroria. Kjo si duket bëri që ai sot të jetë më i rezervuar sa i përket qëndrimit të tij për prokurorinë, duke u shprehur se mund të flet vetëm për rastet a aktgjykimeve, e ato raste pastaj flasin vet.
Kohë më parë, Azizi kishte deklaruar se është shqetësuese përqindja e madhe e lëndëve të korrupsionit me aktgjykim lirues dhe se nuk dëshironte ta gjuante topin në terren tjetër, por se gjykatës nuk iu ishin ofruar prova të mjaftueshme, thjesht nuk ishin bind nga prokuroria, dhe se aktakuzat sa për sy e faqe nuk kalojnë në gjykatë.
Megjithatë, ai pranoi edhe sot se është shqetësuese përqindja e madhe e lëndëve të korrupsionit me aktgjykim lirues, por Gjykata po bënë punën e saj si është më së miri, është institucion i pavarur dhe vepron në bazë të provave.
Përndryshe, kreu i Gjykatës, Ramiz Azizi tha edhe se përgjatë kësaj periudhe ka pas vetëm një lëndë të shenjëstruar për liberalizim të vizave, kjo lëndë ka të bëjë me veprën penale krimi i organizuar dhe narkotikë dhe dje trupi gjykues ka shpall aktgjykimin ndaj të akuzuarve, të cilët kanë marr një dënim kapital, siç edhe jeni të informuar nga gjykata, ku është shqiptuar dënim me burgim prej 11 vite dy të akuzuarve dhe 50 mijë euro, ndërsa të tjerët nga 8 vite, 4 vite burgim e kështu me radhë.
“Lëndë të natyrës së korrupsionit të shenjëstruara më nuk kemi, pasi që i kemi kryer më herët. Gjithashtu, një prioritet iu është dhënë edhe zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje, krimit të organizuar, lëndëve me narkotikë dhe grabitjeve”, ka thënë Azizi.