“Janë realizuar pjesa më e madhe e objektivave të planifikuara për këtë gjashtëmujor”

“Janë realizuar pjesa më e madhe e objektivave të planifikuara për këtë gjashtëmujor”

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e kryetarit të Komunës për gjashtëmujorin e parë, raportin financiar për periudhën janar-qershor, raportin e komisionit për organizimin e tubimeve zgjedhore dhe zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarëve të këshillave lokalë, propozim-vendimin për ndryshimin e destinimit të planifikuar në parcelat kadastrale 2282-0, 2277-1, 2278-1, 2278-4, 2280-1, 2281-1, 2276-2, 2276-3, 2276-4, në kuadër të planit rregullues urban “Livadhet e Arapit”, sikurse edhe raportin e auditorit të përgjithshëm si dhe një informatë nga Drejtoria e Arsimit lidhur me fillimin e vitit shkollor.

Në raportin e tij, kryetari Lutfi Haziri ka nënvizuar sukseset dhe sfidat e kësaj qeverisje, duke konstatuar se në përgjithësi, Komuna e Gjilanit ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të objektivave, aktiviteteve dhe detyrave të planifikuara për këtë periudhë.

Ndërkaq sa i përket propozim-vendimit për caktimin e një lokacioni për tregun e kafshëve në zonën kadastrale Livoç i Ultë, e cila gjendet afër fshatit Velekincë, opozita (LVV e PDK) votoi kundër, me arsyetim se nuk janë konsultuar paraprakisht banorët, ndërkohë që nuk është ofruar edhe një alternativë tjetër për këtë qëllim, prandaj kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.

Riza Abdyli (PDK) e vlerësoi projektin të dëmshëm për Velekincën dhe u shpreh i bindur se tregu do të kundërshtohet nga banorët e atjeshëm.

Dilema shfaqën edhe Nevzad Isufi e Arijeta Rexhepi (LVV), të cilët thanë se duhet marrë mendimin e qytetarëve, para se propozimi të procedohet për votim në Kuvend, përkatësisht duhet të ofrohet edhe një lokacion tjetër, si alternativë për ndërtimin e tregut të kafshëve.

Kurse Avdyl Aliu (LDK) tha se bëhet fjalë për një projekt zhvillimor, ku përfitues janë qytetarët.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini tha se e sheh të arsyeshme që propozimi të rekomandohet për Kuvend dhe atje të merret vendimi, pasi të zhvillohet një debat më i gjerë rreth këtij projekti.

Opozita nuk ndryshoi qëndrim as pas sqarimeve të drejtorit të Urbanizimit, Bekim Bajrami, i cili tha se bëhet fjalë për një projekt me standarde evropiane, me të cilin është fituar granti dhe jo për një treg të tipit klasik.

Sa iu përket parcelave me sipërfaqe prej 65 ari, të shtrira në nënzonën “Livadhet e Arapit”, drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami ka sqaruar se ndërrimi i destinimit, nga banim individual në banim kolektiv, është kërkesë e pronarëve.

KOMENTE