Në moshën 86- vjeçare ka ndërruar jetë ikona e muzikës shqiptare, Nexhmie Pagarusha. Për vdekjen e saj kanë njoftuar familjarët nëpërmjet rrjeteve sociale.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është i pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha.
“Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij.
Ja postimi i plotë:
Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.
Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.
Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH
***
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se sot, me dhimbje të madhe, mësoi se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha.
Ja postimi i plotë:
Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha.
Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.
Nga “Baresha” e deri te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.
Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la.