Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka marrë pjesë z.Jeton Abazaj Kryesues i Kolegjiumit për Buxhet dhe Financa.
Në takimin e këtij Komisioni është debatuar Draft Ligji i Buxhetit për vitin 2023, i cili ligj është kontestuar nga Komunat përkatësisht Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ministria e Financave dhe Transfereve, në Nenin (9) pika (6), ku bëhet fjalë për të hyrat vetanake të grumbulluara nga komunat parasheh që “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”. Paragraf ky i cili është në kundërshtim me ligjet ekzistuese që rregullojnë aspektin e të hyrave vetanake të Komunave.
Duke paraqitur pozicionin e AKK-së në këtë takim të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere z.Jeton Abazaj ka kërkuar që në Draft Ligjin e Buxhetit për vitin e 2023 të hiqet pasuesi i fundit i nenit 9 respektivisht paragrafit 6 në këtë ligj sepse është në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e poashtu edhe në kundërshtim me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdoj të loboj dhe mbrojë të drejtën e Komunave në menaxhimin e të hyrave vetanake sepse ato mjete janë të qytetarëve të Komunave dhe duhet të investohen nëpër komuna, e e cila është e garantuar edhe me gjitha aktet juridike në Republikën e Kosovës. /2LONLINE/