Të hënën me 24 Prill, me fillim në ora 20:00, për nderë të Ditës Botërore të Librit, në Galerinë e Arteve në Gjilan hapet Ekspozita ODE N’mure- Ekspozitë e fjalëve të pathëna.
Alisa Bekteshi ka bërë me dije se është kjo ekspozitën e saj e parë, me poezi, në bashkëpunim me Doruntinë Matoshi, që do të mbledhë një numër autorësh nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
“Ekspozita do të jetë e hapur nga ora 20.00 dhe do të jetë e përcjellë me muzikë nga Art Lokaj. Arti është i bukur kur përjetohet mes grimcash të atyre që kanë dashuruar”, thotë Alisa Bekteshi
***
Ode n’mure- Ekspozitë e fjalëve të pathëna
Mbi lumturinë që njeriu e krijon duke iu shkuar pas gjërave të cilat preken me vetëdije, pavetëdija dhe krijimi i një realiteti të ri janë ato që na dërgojnë diku tjetër dhe shpesh bëhen edhe pjesë e pandashme e individit.
I pashmangshëm është edhe përjetimi që bëhet frymëzim për të krijuar diçka të re duke shfaqur një empati me atë që provon të jetë pjesë e saj në mënyrën e vet.
Dashuria është e prekshme dhe nuk duhet vetëmohuar. Përshkrimi artistik i saj përmes figurave stilistike si në poezi apo prozë tregon veçoritë frymëzuese dhe fascinuese të poetëve njëtrajtshëm por me tematika të ndryshme.
Mes tyre, autorët krijojnë një marrëdhënie mes botës së jashtme dhe asaj shpirtërore duke e vënë në theks ndjenjën që lundron nga vendi në vend e kthehet sërish po tek ai që flet me secilin varg të shkruar.
Vetë kuptimi gërsheton në vete edhe disa dromca të cilat në mendjen e njeriut ngjiten me njëra tjetrën dhe poezia bëhet ajo që ti nuk mund të mos e dëgjosh, nuk mund të mos e përjetosh e nuk mund as të mos e shohësh si një të vërtetë të bukur që dikush e përshkruan për ty. /2LONLINE/