Bujar Nevzati, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit(DKA), ka thënë se edhe gjatë kohës së pushimeve DKA-ja ka punuar me intensitetin më të lartë për ti bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.
Nevzati tha se janë zgjedhur disa drejtorë të shkollave, disa të tjerë janë në proces, pastaj është bërë dezinfektimi i shkollave si dhe ndërtimi dhe riparimi i objekteve shkollore.
Ai ka bërë të ditur se është bërë ndërtimi i dy anekseve të shkollave, “Arbëria” dhe “Abaz Ajeti”, shkolla 9-vjeçare në Lagjen e Tetë do të jetë e gatshme për një shtator sikurse edhe ajo në Selishtë, ndërsa është duke u punuar me intensitet edhe në shkollën “Agim Ramadani” në Zhegër, që kah mesi i këtij viti shkollor të jetë po ashtu e gatshme
Ndryshe, Nevzati ka thënë se në shkollat e mesme të Gjilanit ka vend për regjistrimin e të gjithë semimaturantëve. Ata mund të mos regjistrohen në shkollën, ose drejtimin e dëshirueshëm, për shkak të konkurrencës, por nuk kanë arsye të brengosen se mund të mbeten pa u regjistruar në shkollimin e mesëm.
Afati i dytë për regjistrim fillon më 18 gusht dhe të lira kanë ngelur edhe 755 vende.
Nga fundi i javës pritet të emërohen edhe disa drejtorë dhe zëvendës drejtorë të shkollave, ku ka pasur konkurs, pasi që komisioni e ka përfunduar intervistimin e kandidatëve, ndërkohë që intervistimi i kandidatëve për mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme do të fillojë më 19 gusht.
Për 139 vende të lira pune në shkollat e komunës së Gjilanit, sipas Nevzatit janë dorëzuar 2.136 aplikacione dhe me sa shihet konkurrenca është mjaft e madhe. Për 14 vende të mësimit klasor janë paraqitur 804 aplikues, për 4 edukatore kanë konkurruar 248 veta, ndërsa për 33 arsimtarë të gjuhës angleze kanë aplikuar 417 mësimdhënës.
I pari i arsimit gjilanas tha se është një konkurrencë e madhe, por që drejtoria e arsimit së bashku me Komitetin e Arsimit kanë përgatitur kriteret e punësimit, të cilat do të respektohet deri më tani dhe do të pranohen vetëm kuadro profesionale. Nevzati ka thënë se ai do të jetë në monitorim të përhershëm të komisionit intervistues së bashku me kryetarin e komunës.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që t`i ndalin intervenimet në DKA, duke i siguruar ata se jashtë kritereve profesionale, nuk do të punësohet askush. Nevzati tha se në kritere të barabarta do të kenë përparësi ata të cilët në familje nuk kanë asnjë të punësuar.
Ndryshe, Nevzati tha se gjatë javës së ardhshme do të hapet edhe një konkurs për punëtorë ndihmës dhe rojtar si dhe ndonjë vend për sekretar shkolle.
Ndryshe, drejtues të arsimit në Gjilan, kanë paralajmëruar masa më rigoroze disiplinore në shkolla, nga ky vit, të cilat do të zbatohen pas nënshkrimit të një marrëveshje mirëkuptimi nxënës-prind-kujdestar klase, ku janë të përcaktuara të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë në shkolla.
Halim Vranoci, zyrtar për shkolla të mesme, tha se në bazë të rregullores, një nxënës mund të largohet nga shkollimi për mos disiplinë për një vit shkollor, por atij do t`i sigurohet mësim alternativ në ndonjë komunë tjetër. /2lonline/