/ Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari – Gjilan /
Të nderuar fermerë,
Tani është koha për krasitjen e të gjitha llojeve të pemëve. Andaj ju lutem shfrytëzoni maksimalisht kohën për krasitjen e pemëve në përgjithësi, se dikur bëhet vonë e efektet janë shumë më të vogla.
Sipas kohës kur kryhet krasitja kemi dy lloj krasitje:
1. Krasitja gjatë periudhës së qetësisë dimërore dhe
2. Krasitja e gjelbër e cila bëhet gjatë vegjetacionit.
Këtu do të sqarojmë krasitjen dimërore, çka është krasitja, pse dhe kur aplikohet.
Çka është krasitja?
Krasitja është një masë e rregullt vjetore e cila realizohet gjatë periudhës së qetësisë dimërore dhe gjatë vegjetacionit. Qëllimi i krasitjes është që të sigurohet mundësia e rritjes dhe e zhvillimit të degëzave me sytha prodhuese. Krasitjet e rregullta vjetore ndikojnë në rinovimin e vazhdueshëm të bimëve, si dhe siguron një ekuilibër ndërmjet rritjes vegjetative dhe asaj prodhuese.
Pra, krasitja është ARTI i ndryshimit të mënyrës natyrore të rritjes së pemëve, në një rritje më të përshtatshme për të prodhuar sasi dhe cilësi më të lart. Roli i krasitjes është shumë i madh dhe ndonjëherë edhe vendimtar për prodhimtarinë e pemëve.
Pse dhe kur aplikohet krasitja?
Përmes krasitjes kryhet formimi i kurorës, eliminon prodhimin periodik të pemëve (siç ka qenë më parë – një vit jep fruta një vit jo, përmes krasitjes mënjanohet kjo dukuri). Aplikimi i krasitjes rritë jetëgjatësinë e pemës, eliminohen edhe degëzat e tepërta dhe të lënduara mekanikisht. Përmes krasitjes rregullohet depërtimi i rrezeve të diellit, pra ndriçimi më i mirë, ajrosja më e mirë. Kështu që depërtimi i rrezeve të diellit dhe ajrosjes më të mirë ka ndikim edhe në pengimin e zhvillimit te sëmundjeve të pemës. E krejt këta faktorë kanë ndikim në prodhimtari sasiore dhe cilësore.
Vendoset raport i drejtë i qarkullimit të materieve ushqyese ndërmjet sistemit rrënjor dhe atij mbitokësor, si dhe ndërmjet pjesëve të veçanta të kurorës, duke bërë të mundur kështu shfrytëzimin e plotë të hapësirës që ka në dispozicion.
Krasitja e pemëve dimërore drufrutore aplikohet gjatë periudhës së qetësisë natyrore të pemës (qetësisë dimërore), më mirë është të aplikohet pas periudhës kur pemët ju nënshtrohen temperaturave të ulëta, varësisht prej kushteve klimatike- temperaturave, muajt më të përshtatshëm për krasitje janë: Shkurt – Mars.
Pra, fermerë të nderuar është koha për krasitje shfrytëzoni ketë masë shumë të rëndësishme për zhvillim dhe prodhimtari normale të kulturave pemëtare.
Për çdo këshillë apo sqarim rreth krasitjes dimërore apo këshillave tjera në përgjithësi për bujqësi dhe zhvillim rural drejtohuni tek këshilltaret e QIKK (Qendrat Këshilluese Informative Komunale), po ashtu në QIKK mund të furnizoheni edhe me materiale të shtypura rreth nevojave tuaja. /2LONLINE/