Paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të Beogradit se Serbia do të organizojë zgjedhje parlamentare edhe në territorin e Republikës së Kosovës, u është kundërpërgjigjur Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka thënë se në atë pjesë të Kosovës nuk mund të organizohen zgjedhje nga Serbia.
POSTUAR 09:02 / 22.02.2014
Tahiri ka thënë se marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, e arritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, u ka thënë fund ndërhyrjeve të shtetit serb në punë e brendshme të Kosovës,
“Marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve definitivisht i ka dhënë fund çfarëdo ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri, shkruan Epoka e Re..
Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se janë të përcaktuara qartë proceduarat se si qytetarët me dy shtetësi mund të votojnë jashtë vendit.
“Qytetarët serbë, të cilët mund të kenë dy shtetësi, të Kosovës dhe Serbisë, sipas Konventës së Vjenës, kanë të drejtë të votojnë për zgjedhje parlamentare”, është shprehur Tahiri. Ajo ka thënë se marrëveshja e 19 prillit i ka dhënë një dimension të qartë integrimit të veriut të Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja për krijimin e Gjykatës Themelore dhe Zyrës së Prokurorisë në veri të Kosovës.
“Këta dy mekanizma juridikë do të veprojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës dhe në kuadër të sistemit unitar të drejtësisë së shtetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.