/2L ONLINE/ – “Pushteti aktual i komunës së Gjilanit, përkatësisht organet më të larta relevante të arsimit, në heshtje kanë vendosur që nga e hëna ta mbyllin shkollën e mesme të bujqësisë, e cila ishte investuar nga DANIDA, me miliona euro, sipas standardeve më të larta evropiane me arsyetim se nuk po shkojnë nxënësit në këtë objekt që është në periferi të qytetit. Teksa transporti për të gjithë nxënësit dhe personelin arsimor ishte siguruar nga vetë komuna, dhe kishte funksionuar pa ndonjë vërejtje të theksuar”.
Kështu ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes dhe njëherësh anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan, sipas të cilit edhe ata pak nxënës që ka kjo shkollë, këta pushtetarë, pa ndonjë analizë të mirëfilltë të mos interesimit të nxënësve për tu regjistruar në këtë drejtim, e që në gjithë botën e zhvilluar demokratike është drejtim mjaftë atraktiv, po mendojnë dhe planifikojnë t’i vendosin në objektin e gjimnazit natyror. Me këtë rast, jo vetëm që do ta vështirësojnë procesin mësimor të këtij gjimnazi, por edhe vetë nxënësve të kësaj shkolle do t’ia vështirësojnë punën.
“S’do mend se zhvendosja e nxënësve të bujqësisë në objektin e gjimnazit natyror, jo vetëm që do të ketë pasoja të pariparueshme në të gjitha dimensionet, por para se gjithash do t’i dëmton më së shumti tashmë nxënësit e gjimnazit natyror, që në Gjilan njihet si një nga shkollat më elitare, teksa edhe vetë nxënësit e këtij profili do të kenë vështirësi tejmase, sepse puna praktike duhet të behët diku tjetër. Në këtë rast ose duhet të punojnë në tri ndërrime me nga 30 minuta ora, ose të gjitha kabinetet e parapara profesionale brenda gjimnazit natyror do të shndërrohen, përkatësisht do të improvizohen si mësonjëtore për nxënësit e bujqësisë. Pra në vend se të funksionalizohen këto kabinete profesionale, ato improvizohen në mësonjëtore për nxënësit e bujqësisë, derisa objekti modern i kësaj shkolle do të mbyllet” thotë tutje Sylejmani.
Ai shtron pyetjen se do të arsyetohemi para donatorit që ka investuar mbi një milion e gjysmë në këtë shkollë, pastaj si mund të kërkojmë më pas donacione për investime tjera, kur nuk jemi të aftë ta mirëmbajmë dhe zhvillojmë mësimin në këso objekte moderne. “Paramendoni se në çfarë gjendje e kanë sjellë sistemin arsimor në Gjilan. Kjo s’do koment!!!! Këtu dikush duhet dhënë përgjegjësi. Justifikimi se nxënësit nuk po joshen për tu regjistruar në shkollën e mesme të bujqësisë për shkak të largesës nga kompleksi i shkollave të mesme është e pajustifikueshme dhe tejet amatoreske. Ky arsyetim është absurd, sepse shkolla e mesme profesionale e bujqësisë, sipas standardeve, përveç objektit dhe kabineteve përcjellës brenda saj duhet të ketë edhe tokë pjellore të mjaftueshme për të kryer praktikën, gjë të cilën edhe e ka kjo shkollë. Kësaj shkolle nuk i duhet ambient i ndonjë teatri, por ambient i lëmisë profesionale së cilës i takon”, thotë Sylejmani i Vetëvendosjes.
Ai shton tutje se pse pse nuk po shkojnë nxënësit në këtë shkollë, vlerëson se janë politikat e gabuar të këtij pushteti, për faktin se, në radhë të parë nuk respektojnë ligjet e arsimit paarsuniversitar, e më pas edhe nuk kanë vizion, kuadro dhe strategji për një arsim më cilësor dhe më të avancuar. Përderisa në drejtimet e mjekësisë, ekonomisë dhe dy gjimnazeve shkojnë nxënës që nuk janë pranuar fare sipas kritereve të konkursit dhe në fund ju lejohet të rrisin numrin e paraleleve, atëherë është shumë e logjikshme se nuk ka me pas më nxënës për të regjistruar në bujqësi.
Po ashtu, Sylejmani thotë se sipas neve kjo zhvendosje e këtyre nxënësve behët edhe për një qëllim të caktuar, për një arsye të thjeshtë dhe materiale, meqë siç dihet sivjet ka filluar së funksionuar kampusi i shkollave të mesme , e që në kuadër të këtij kampusi janë edhe tre restorante, ku ju imponohet detyrimisht të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të shërbehen në këto objekte afariste.
Gjithashtu me këtë veprim të gabuar drejtoria e arsimit do të bien në kundërshtim me vendimet e saj të mëhershme, ku siç dihet unanimisht është përkrahur nga të gjitha subjektet politike në Gjilan, për të ndarë bursa për nxënësit e kësaj shkolle me arsyetim për të motivuar dhe josh nxënësit për t’u regjistruar dhe vijuar mësimet në këtë drejtim profesional.
“Prandaj ne si subjekt opozitar dhe mjaftë konstruktiv kërkojmë nga organet më të larta arsimore, që mos të bëjnë ndonjë veprim të llojit të tillë, veprime e vendime të pamatura dhe të pa analizuara mirë e hollësisht, sepse pasojat do të jenë të paparashikuara dhe përgjegjësinë do ta bartin në radhë të parë vetë drejtuesit më të lartë të arsimit në Gjilan,e më pas edhe vetë kreu i komunës”, ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes dhe njëherësh anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan. /2L ONLINE/