Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare, njofton Policia.
Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.
E, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se suspendimi i Nenad Gjuriqit ka ardhur si rrjedhojë e refuzimit të zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe si pasojë e cënimit të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
Postimi i tij i plotë:
Refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës është mbi të gjitha cënim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë.
Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoriatit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq.
Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurtë për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij. /2LONLINE/