Duke i konstatuar shkeljet drastike të Ligjit mbi Financat Publike, respektivisht të Rregullores së Ministrisë së Financave, nr.04/2017, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, thërrasim kryetarin e Komunës z. Lutfi Haziri, të merr masa të menjëhershme për shfuqizimin e vendimit të komisionit komunal për ndarjen e subvencioneve për kulturë, rini dhe sport, duke e themeluar një komision tjetër vlerësues, profesional që ka përvojë dhe integritet, me mandat për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve dhe të veprojë në harmoni të plotë me ligjin, respektivisht me rregulloren gjegjëse. Në të kundërtën, prokuroria themelore duhet ta hetojë këtë proces në tërësi.
Kështu ka thënë Shefik Surdulli këshilltar komunal, nga radhët e PDK-së, sipas të cilit shkeljet e hetuara të kësaj rregulloreje, sipas kapitujve, neneve dhe paragrafeve përkatës, kanë të bëjnë me:
mostransparencën e punës së komisionit vlerësues;
mos sigurimin e dy-shkallshmërisë në trajtimin e ankesave të aplikantëve;
mos emërim ekipit përgjegjës për monitorim të zbatimit të projekteve/programeve;
mospublikimin në faqen elektronike të komunës, të vendimit lidhur me përfituesit, në afatin ligjor prej 7 ditëve pas ditës së marrjes së vendimit;
tejkalim i kuotës prej 5% nga kodi buxhetor prej 76410 € për subvencione, për përkrahje të OJQ-ve;
trajtim jo të barabart dhe diskriminim i aplikuesve, etj.
“Ta zëmë, si mund të shpjegohet fakti që klubet e futbollit të cilat garojnë në të njëjtën ligë, me poenë të njëjtë vlerësimi, të shpërblehen në mënyrë asimetrike?! P. Sh: Klubi i Futbollit. “Galaksia”, përkundër vlerësimit me 64.75 pikë, i ndahen 1000 €, ndërsa Klubi Futbollistik “Bashkimi”, me 64 pikë, shpërblehet me 4500 €!
Pastaj, si është e mundur që OJQ dhe Klube sportive, të jenë përfitues të dyfisht, si: OJQ-ja “QPKA” të fitoj dy projekte/programe (të të njejtës kategori, madje ka indikacione edhe për konflikt interesi!), në vlerë prej 9100 €, ndersa Klubi Futbollistik (Femra) “Intelektualet”, përfiton 6720 € përmes dy projekteve, e në anën tjetër, diskriminohen Ekipe Sportive elite, të nivelit superior të garimit nacional, madje edhe evropian”m thotë tutje Surdulli.
Sipas tij, në rangun e përfituesve të financimit të projekteve/programeve, gjithsesi bi ne sy edhe ndikimi politik – përfitues anëtar i kuvendit, partner i koalicionit qeverisës. Mandej, brenda listës së përfituesve, ka dyshime të ndarjes së mjeteve financiare në mënyrë retroaktive (projekti është realizuar para vlerësimit të aplikacioneve!).
“Pra, këto dhe shumë shkelje të tjera të evidentuara në këtë rast, janë arësye e mjaftueshme për ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga kryetari i komunës, z. Lutfi Haziri. Në të kundërtën, tërë këtë proces duhet ta hetojë Prokuroria Themelore në Gjilan”, thotë në fund, Shefik Surdulli këshilltar komunal, nga radhët e PDK-së.