Sot, është hera e tretë që në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”, marrëveshje nr. 1042, bazuar në thirrjen publike nga Drejtoria për Bujqësi, është bërë subvencionimi i 4 krerë gjedheve për fermerët e Komunës së Gjilanit.
“Ne si drejtori, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, jemi të përkushtuar që fermerëve tanë t’iu krijojmë kushte sa më të favorshme për mbarëvajtjen dhe kultivimin e gjedheve të racës Simental, një racë e cila ka potencial të lartë të qumështit dhe mishit”, ka bërë me dije, Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan.
Ai ka falënderuar menaxhmentin e shkollës për bashkëpunimin konstruktiv dhe për kultivimin e kësaj race, si dhe ka uruar të gjithë fermerët përfitues, duke mbetur me shpresë që këto gjedhe të ruhen e kultivohen në mënyrë që kjo racë të mbarështohet që të përdoret për rritjen e mirëqenies së familjeve tona.
“Gjithashtu, së shpejti, Komuna e Gjilanit, do të bëjë shpërndarjen edhe të 120 krerëve lopë të racës simental për fermerët tanë në mënyrë që kjo racë të jetë racë e cila kultivohet e trajtohet në mënyrë sa më racionale nga fermerët e Komunës së Gjilanit”, ka bërë me dije drejtori Bajram Isufi. /2LONLINE/