Rastet e dhunës në familje dhe ato ne baza gjinore në tri komuna të Kosovës: Dragash, Gjakovë dhe Gjilan kanë arritur dimensione alarmante. Kështu thuhet në një raport të nxjerrë nga një studim i përbashkët i organizatave të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë.
Studimi për dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore ka dhënë rezultate shqetësuese, tha Ane Meskanen zyrtare në Ambasadën Finlandeze. Ajo theksoi se një zingjir i shërbimit, duke filluar nga mbrojtja, rehabilitimi dhe integrimi i viktimave duhet të përgatitet sa më shpejt, transmeton RTK.
Ndërsa Andrju Russell, Koordinator për Zhvillim i OKB-së tha se në vend që viktimat të përkrahen ato stigmatizohen. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këtë projekt duke i ngritur kapacitetet dhe duke ofruar mekanizma më të fuqishëm në luftimin e kësaj dukurie .
Nga ana tjetër zëvendës ministri i Drejtësisë Daut Xhemajli tha se institucionet e Kosovës iu kanë qasur seriozisht kësaj problematike .
Në tërë botën rreth 275 milion fëmijë janë dëshmitarë të dhunës në familje. Ky fakt shkakton dëme afatgjata dhe afat shkurtra në zhvillimin e fëmijës. Sipas një studimi të vitit 2006 mbi Dhunën ndaj Fëmijëve, mësohet se pothuajse të gjithë fëmijët që përballen me dhunë në familje rrinë të heshtur, duke mos e raportuar rastin sepse mendojnë që nuk mund të gjejnë ndihmë.