Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, programi master-dega e Arkivistikës, së bashku me profesorin dr. Haxhi Ferati, vizituan Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të zhvillimit të lëndës; Historiku i Institucioneve të Kosovës. Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit të Departamentit të BCU-së, dhe Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Të pranishëm në këtë takim ishin: z. Hajrush Kurtaj, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, z. Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, major Hysen Berisha, shef i Sektorit të Transformimit dhe Modernizimit të Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim të MFSK-së.
Gjatë kësaj vizite studentët u njoftuan, nga major Hysen Berisha, UD-i Sektorit të Transformimit dhe Modernizimit në kuadër të këtij Departamenti, me zhvillimet e FSK-së, misionin, strukturën, kapacitet, operacionet, trajnimet; planifikimin, rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.
Gjithashtu, major Berisha i njoftoi studentët edhe me sukseset e arritura të FSK-së; ngritjen profesionale, trajnimin, shkollimin, si dhe bashkëpunimin dhe partneritetin e ndërtuar me vendet anëtare të NATO-s dhe vendet e tjera, si ato rajonale dhe ndërkombëtare. Po ashtu ai foli edhe fushëveprimin e këtij institucioni të rëndësishëm si: pastrimin e fushave të minuara, operacionet e kërkimit-shpëtimit brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe me shumë aktivitete tjera.
Major Berisha gjatë takimit të tij me studentët, përveç tjerash, numëroi edhe të arriturat e njësive të FSK-së në gara të ndryshme ushtarake jashtë vendit, si në Maqedoni, Kroaci, Britani të Madhe dhe shtete të tjera, ku njësitet e FSK-së, kanë marrë pjesë. Pastaj, përmendi edhe sukseset e pjesëtarëve të FSK-së, të cilët po shkollohen jashtë vendit nëpër akademi të ndryshme ushtarake, si në Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Kroaci, Britani të Madhe, SHBA etj.
Në fund, major Berisha i njoftoi studentët me Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe përgatitjeve për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, dhe në kuadër të saj, i njoftoi edhe me misionin, strukturën, organizimin dhe planifikim e FAK-ut.
Për veçoritë e MFSK-së dhe FSK-së, si institucion me besueshmi më të lartë nga qytetarët; transparencë, Planin e integritetit, procedurat në qasje të dokumenteve zyrtare, pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë, çështjet gjinore, foli drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, z. Ibrahim Shala.
Studentët e Fakultetit Filozofik me interesim përcollën ligjëratën, si dhe parashtruan shumë pyetje lidhur me të ardhmen e FSK-së, FAK-un, menaxhimin e dokumenteve arkivore, transparencën, qasjen në dokumente zyrtare, etj.
Në fund, studentët u ndanë të kënaqur me informacionet që patën mundësi t’i marrin nga eprorët e FSK-së.